Ndërsa na ndajnë vetëm  orë  e jo ditë nga zgjedhjet e 14 majit, Policia ka njoftuar masat e ndërmarra për sigurinë dhe mbarëvajtjen e tyre. Reban Jaupi, drejtor i rendit dhe sigurisë, njoftoi se janë trajtuar mbi 7530 punonjës policie, 5511 prej tyre do të angazhohen në ruajtjen e objekteve zgjedhore.

192 punonjës nga forcat ‘Komando’ do të vihen në dispozicion për të ruajtur objektet e rëndësishme. Gjithashtu është përgatitur edhe një regjistër i posaçëm për të referuar veprat penale në fushën zgjedhore, që do të administrohet nga çdo komisariat policie si edhe nga drejtoria e përgjithshme.

Ky regjistër është i aksesueshëm nga KQZ-ja dhe nga subjektet elektorale. Është vënë gjithashtu në dispozicion një aplikacion dixhital me numrat e kontaktit të punonjësve të angazhuar në çdo qendër votimi, si dhe me numrat e përgjegjësve të tyre, me qëllim raportimin e zbatimit të masave të Policisë së Shtetit.

Masat e ndërmarra nga Policia e Shtetit për zgjedhjet e datës 14 maj 2023

Në vijim, u hartuan, u miratuan dhe u zbatuan urdhrat për planifikimin dhe organizimin e trajnimeve për punonjësit e Policisë, në strukturat e ngarkuara me përgjegjësi për këtë proces. Në këtë kuadër janë trajnuar 7530 punonjës policie, të cilët do të angazhohen me detyra gjatë procesit zgjedhor, sipas niveleve të menaxhimit policor, që nga niveli bazë i veprimit policor.

Janë kryer përllogaritjet e numrit të punonjësve të Policisë dhe nevojave të tyre për pajisje, automjete dhe shërbime të tjera logjistike, që do të angazhohen për sigurimin e 5211 qendrave të votimit, 92 KZAZ-ve dhe 92 VNV-ve.