Mes replikave mazhorancë-opozitë mëngjesin e 8 shkurtit u mblodh Këshilli Kombëtar i Integrimit. Kryetarja, deputetja demokrate Jorida Tabaku, në fjalën e saj kërkoi vullnet politik dhe se Shqipëria nuk duhet të fshihet pas vetos bullgare në procesin e integrimit evropian.

“Nuk mund të fshihemi pas vetos së Bullgarisë as ndaj proceseve që janë jashtë dorës sonë. Ne duhet të bëjmë punën tonë këtu, pavarësisht një date që ndoshta nuk është në dorën tonë’”, tha Tabaku.

Ajo theksoi se është e rëndësishme që të përmbushen kriteret, që Bashkimi Evropian më pas të hapë negociatat me Shqipërinë.

“Në raportin e paraqitur nga institucionet, dua të veçoj tre komponentë kryesor që lidhen me parakushtet dhe nëntë kriteret për hapjen e negociatave. Kam vënë re që qeveria shqiptare ka raportuar për pastrimin e parave dhe luftën ndaj krimit, por nuk kemi asnjë rezultat konkret. Janë miratuar disa ligje rutinë në parlament, por nga pikëpamja e zbatimit, nuk kemi asnjë zhvillim”, vijoi deputetja.

Sakaq Tabaku u ndal dhe te kërkesat për azil, të cilat dhjetë e fundit janë 40% në total të aplikuesve.

Ndërsa deputeti socialist Taulant Balla, duke falënderuar opozitën dhe Tabakun, theksoi se shpresonte që brenda këtij 10-vjeçari BE-ja të përmbushet me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Teksa kërkoi që Këshilli duhet të veprojë në një zë ai shtoi se, “nuk është në dorën tonë ngecja e procesit të zgjerimit për arsye që më parë nuk kanë ekzistuar. Ne nuk fshihemi ndaj vetos së Bullgarisë sepse Bullgaria e ka bërë të qartë që nuk ka asgjë me Shqipërinë”.

Nga ana tjetër ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, tha se Shqipëria e ka dëshmuar veten si një partner i besueshëm i BE-së.

Ndërkaq ajo vijoi të shpjegonte se përgjatë vitit 2021 është zhvilluar një proces intensiv lobimi nëpërmjet takimeve me partnerët evropianë.

Sa i përket marrëveshjes së stabilizim asociimit, Xhaçka tha se janë zhvilluar tetë mekanizma të përbashkët BE-Shqipëri.

“Në planin Kombëtar të Integrimit Evropian 2021, u miratuan 66 akte dhe 87 projektakte. Si dhe projektplani Kombëtar për Integrimin Evropian 2022-2024, ka kaluar në fazën përgatitore”, the ndër të tjera ajo.

Ajo e përmbylli duke vënë theksin se objektivi i Ministrisë për vitin 2022 është mbajtja e Konferencës së parë Ndërqeveritare “në kohë sa më të shkurtër”.