Presidenti Bajram Begaj ka mbledhur ditën e sotme Këshillin e Sigurimit Kombëtar, për të bërë një analizë të gjendjes së sigurisë kombëtare dhe prioriteteve për vitin 2023. Mbledhja nisi rreth orës 14:00 dhe përfundoi në orën 16:40, duke zgjatur më shumë se dy orë e gjysmë. Ndërkohë kryeministri Edi Rama e la mbledhjen një orë para përfundimit.
Të pranishëm në mbledhje ishin krerët më të lartë të shtetit të cilët janë anëtarë të përhershëm të këtij Këshilli që mblidhet sa herë që presidenti i republikës e gjykon të nevojshme. I vetmi nga rradhët e opozitës që mori pjesë në mbledhje, ishte deputeti i PD, Ferdinand Xhaferraj i cili njëkohësisht mban edhe postin e zëvendës kryetarit të Komisionit të Sigurisë. Në hyrje të mbledhjes Begaj tha se viti i kaluar ishte sfidues, duke përmendur edhe sulmin kibernetik me të cilin Shqipëria u përball, duke pësuar probleme në infrastrukturën dixhitale.
Në përfundim të mbledhjes u arritën disa konkluzione të cilat përqendrohen kryesisht në vënien si prioritet të hartimit të dokumentave strategjikë që lidhen me Strategjinë e Sigurisë Kombëtare, fushën e mbrojtjes dhe emergjencave civile si dhe strategjive sektoriale.
Presidenti Begaj tha se dokumenta nuk duhet të jenë thjesht formalë por të mirëbuxhetuara që të sigurojnë përdorimin në mënyrë të koordinuar dhe të harmonizuar të instrumentave në kuadër të garantimit të sigurisë dhe nxitjen e qëndrueshme të zhvillimit ekonomik.
Cilët janë anëtarët e Këshillit sipas ligjit?
Këshilli i Sigurimit Kombëtar 1. Këshilli i Sigurimit Kombëtar është organ këshillimor, i cili mbështet Presidentin e Republikës në ushtrimin e kompetencave dhe përgjegjësive kushtetuese e ligjore. 2. Këshilli i Sigurimit Kombëtar kryesohet nga Presidenti i Republikës dhe thirret prej tij sa herë që e gjykon të nevojshme e sipas një rendi dite të përcaktuar. 3. Anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit Kombëtar janë: a)Kryetari i Kuvendit; b)Kryeministri; c)Ministri i Mbrojtjes; ç) Ministri Punëve të Jashtme; d) Ministri i Drejtësisë; dh) ministri përgjegjës për punët e brendshme; e)ministri përgjegjës për financat; ë) ministri përgjegjës për transportin; f) ministri përgjegjës për energjinë; g) kryetari i komisionit të përhershëm parlamentar përgjegjës për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes; gj) Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura; h) Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit. i) Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit