Trageti i linjës Greqi-Itali, ‘Euroferry Olympia’ është përfshirë nga flakët rreth orës 04:30 mëngjesin e sotme. Raportohet se dy persona janë të bllokuar dhe ende në “luftë” me tymin, ndërsa 10 të tjerë janë të zhdukur. 3 helikopterë dhe forcat e shpëtimit po punojnë për zhbllokimin e dy personave që siç raportohet nga mediat greke janë me origjinë bullgare, si dhe kanë intensifikuar kërkimet në det, pasi mendohet që një pjesë e tyre mund të jenë hedhur me besimin se do t’i shpëtonin zjarrit.

Mësohet se flakët kanë shpërthyer menjëherë pas nisjes nga porti grek në pjesën e garazhdit të tragetit, ndërsa shkaqet janë ende të paqarta.

Trageti ishte nisur për në Brindizi të Italisë ndërsa Report Tv ka siguruar edhe pamjet nga Korfuzi, mes Greqisë dhe Shqipërisë, ku shihet qartë tymi i shkaktuar nga flakët në traget. Në bord ishin 239 pasagjerë ndërsa 51 ishin anëtarë të ekuipazhit. 279 persona janë evakuuar me tre varka drejt Korfuzit, ndërsa ende nuk dihet fati i 10 -të të tjerëve.

“Ajo që përjetuam ishte një makth”, tha njeri prej pasagjerëve të evakuuar.

“Janë djegur shoferë grekë, sepse ata i zuri gjumi brenda në makinë.”, kjo ka qenë deklarata e njërit prej pasagjerëve të evakuuar nga ky incident i rëndë. Megjithatë ende nuk është raportuar asnjë viktimë.

Sipas gazetarit Limos Didani, në traget dyshohet të ketë edhe emigrantë të paligjshëm, të fshehur nëpër mallrave.

Mësohet se 2 personave pas problemeve me frymëmarrjen dhe 1 i cili u lëndua gjatë evakuimit, janë dërguar menjëherë në spital. Një foshnje dy-muajshe është dërguar gjithashtu për një kontroll.

Lajmin e ka bërë me dije policia portuale greke, e cila ka kontaktuar rojet bregdetare italiane. Disa nga pasagjerët shprehen se flakët kanë nisur nga garazhet e tragetit, ndërsa disa të tjerë thonë se në garazhe ka pasur edhe shoferë kamionësh të cilët kanë qenë në gjumë.

Banorë të ishullit të Korfuzit kanë treguar se fillimisht panë tymin që dilte nga anija në flakë e më pas kanë dëgjuar edhe shpërthime. Mediat greke bëjnë me dije se 3 helikopterë ndodhen në zonën detare, ndërsa po ashtu është edhe një anije tjetër.

Flakët janë vënë tashmë nën kontroll, teksa po hetohet për të mësuar shkaqet e rënies së zjarrit.

Shpërthen zjarri në tragetin e linjës Greqi-Itali, flakët shihen edhe nga Shqipëria – Abc News