Po sikur ajo që dimë të jetë krejtësisht e gabuar? Sipas “The Independent”, mbytja e anijes së famshme nuk është shkaktuar nga ajsbergu, por nga rënia e një zjarri përpara se ajo të dilte në det.

 

  1. Titaniku, anija luksoze dhe gjigande që transportonte rreth 2.500 njerëz, u mbyt  natën e 14 prillit duke gëdhirë 15. Mit i vërtetë i shekullit të njëzetë, anija vazhdon të magjeps publikun. Historia e saj frymëzoi filmin e famshëm të James Cameron, me Leonardo DiCaprio-n dhe Kate Winslet-in. Për një kohë të gjatë, shkaku i fundosjes i është atribuuar përplasjes së anijes me një ajsberg, i cili çau fundin e gjigandit. Një hipotezë që mund të dalë e pasaktë …

Një mori faktorësh të jashtëzakonshëm

Faqja e internetit “The Independent” tregon se zbulimi i fotografive të reja u ka mundësuar ekspertëve të paraqesin një tjetër teori. Një zjarr kish rënë në nivelin e fundit të anijes disa javë përpara se anija të dilte në det. Një incident që e ka dobësuar strukturën e saj dhe që shpjegon se pse anija u mbyt në mënyrë aq të shpejtë, pas përplasjes me ajsbergun. Senan Molony, një specialist i mbytjes së Titanikut, ka thënë për “The Independent”: “Kjo fundosje nuk është historia e një përplasjeje të thjeshtë të anijes me një ajsberg. Eshtë një mori faktorësh të jashtëzakonshëm: zjarri, akulli dhe neglizhenca. Zjarri dihej, por u minimizua. Anija nuk duhej lejuar në asnjë mënyrë të dilte në det”.

Këto zbulesa mund të dëmtojnë një mit të vjetër më shumë se një shekull. Një legjendë e ushqyer nga librat, filmat televizivë dhe filmat me metrazh të gjatë. Dashuria tragjike mes Jack Dawson dhe Rose DeWitt Bukater ka magjepsur miliona shikues në kinema. Filmi, i prodhuar në vitin 1997, mban rekordin e spektatorëve në kinema në gjithë botën! Po ashtu edhe transmetimi i tij në televizion kudo nëpër botë ka thyer çdo pritshmëri! P.sh. dhjetorin e kaluar, ai është ritransmetuar nga televizioni francez TF1 dhe është ndjekur nga rreth 5 milion shikues. Ky element i ri, nëse vërtetohet, mund t’u japë ushqim për të bluar atyre që ëndërrojnë për një film të ri. Loja është e hapur edhe për James Cameron!

/Veritas.com.al/