Banka Botërore lëshon alarmin se me rritjen aktuale ekonomike Shqipërisë do t’i duhen qindra vjet për të arritur standardin e mirëqenies së Bashkimit Europian. Në një raport të fundit të posaçëm mbi gjendjen e ekonomisë, Banka vëren se Shqipëria ka nevojë t’u rikthehet normave të larta të rritjes ekonomike për të përafruar nivelin e mirëqenies me fqinjët e saj Perëndimor.
“Duke supozuar se ekonomia e Bashkimit Europian do të rritet me normat mesatare historike, (që janë 1% për vendet e vjetra dhe 3.5% për shtetet e reja anëtare), atëherë me normën aktuale të rritjes ekonomike prej 2 për qind, Shqipërisë do t’i duhen disa gjenerata në të ardhmen për të arritur nivelin e mirëqenies së BE,” thotë raporti.
bb raportiNdaj sipas Bankës Botërore është jetike që vendi t’u rikthehet normave të shpejta të rritjes së prodhimit. “Nëse ekonomia shqiptare do të rritej me 6 për qind, ashtu si në vitet e para krizës, atëherë të ardhurat për frymë do të rriteshin në mënyrë domethënëse duke i lejuar Shqipërisë të arrijë nivelin e mirëqenies së BE-së brenda 25 viteve,” vijon raporti.
Rritja ekonomike
Nga viti 200 deri në 2008-ën, Shqipëria ishte vendi me rritjen më të lartë ekonomikë në Europë. Sipas Bankës Botërore përgjatë kësaj periudhe Prodhimi Kombëtar I Shqipërisë u rrit mesatarisht me mbi 6 për qind në vit duke lënë pas të gjithë ekonomitë e tjera të kontinentit. Kjo rritje e fortë bëri të mundur që të ardhurat për frymë të rriten nga 18 për qind e mesatares së BE-së që ishin në vitin 1998 në 30 për qind në 2012-ën.
Por pas vitit 2009, rritja ekonomike në vend fillimisht u përgjysmua në 3 për qind dhe më pas u ngadalësua edhe më tej drejt nivelit 1 për qind. Kjo ka bërë që konvergjenca e të ardhurave të ngec në nivelet 30 për qind. Sipas Bankës Botërore, nëse kjo situatë nuk ndryshon dhe Shqipëria nuk u rikthehet ritmeve të larta të rritjes, atëherë do të duhen disa gjenerata para se vendi të arrijë standardet e jetesës së Bashkimit Europian.