Tirana u trondit dje nga një lajm i rremë që u përhap me shpejtësi edhe për shkak të ndjeshmërisë së njerëzve nga lëkundjet e tokës. Paniku ndodhi për shkak të një lajmi tërësisht të sajuar nga ana e këtij portali. Portali Syri, pak pas orës 22:00, shkroi lajm kryesor thirrjen “dilni nga shtëpia” dhe këtë e shpjegonte me një gjë të sajuar tërësisht fund e krye.
Portali Syri dje terrorizoi Tiranën, Durrësin dhe Elbasanin duke postuar këtë lajm tërësisht të sajuar. Kjo është foto e lajmit që u ndodh në faqen e këtij portali pak pas orës 22:00, dje në mbrëmje. Mashtrimi mundohej të bëhej i besueshëm duke thënë se parashikimin e orës se kur bie tërmeti e kishte bërë sizmiologu grek, Akis Tselentis, i cili 12 orë më parë kishte dhënë një intervistë për Top Channel.
Në intervistën e transmetuar dje, nuk ka asnjë rresht ku të përmenden fjalët që i ka vendosur në gojën e tij, Syri.net. Këtë intervistë fjalë për fjalë ky portal e ka publikuar mesditën e së dielës, por çuditërisht të njëjtët persona, sajuan një tekst dhe thënie të paqena mbrëmjen e së dielës.
Titulli i Syrit dhe rrena e publikuar, u bë viral në rrjet dhe njerëzit e çuan gojë më gojë, dhe në alarm dolën në rrugë aq sa u desh ndërhyrja dhe sqarimet e shumë institucioneve, por edhe e gjithë mediave në bllok për të thënë që lajmi i publikuar nga Syri është mashtrim dashakeqës.
Një nga gazetarët e Syrit është shoqëruar dhe janë marrë në pyetje 5 persona ndërsa çështjen po e heton antiterrori. Policia dje shoqëroi edhe një gazetare të Shekullit e cila u la e lirë dhe sot ka sqaruar se edhe emri i saj ishte përdorur në këtë mashtrim.
Ndërkohë portali Syri e fshiu me urgjencë lajmin e në vend të tij botonte shpifje dhe justifikime duke e rënduar akoma më shumë pozitën në këtë akt kriminal. Ndërsa sot, ata që të dielën shkaktuan panik, kërkojnë të fshihen ndërsa krimin e kanë shkruar e zeza mbi të bardhë.(TCH)