Loja e ‘shahut’ në krye të shtetit mbaroi.

Presidenti i Republikës, që hyri në lojën e ‘shahut’ me kryeministrin Edi Rama, e humbi lojën. Edhe pse dje veshi kostumin më të mirë, u bë si burrë serioz në fytyrë dhe i dorëzoi dekretin Edi Ramës si ministër i Jashtëm, sot në mëngjes në zyrat e Ministrisë së Jashtme u shfaq një ministër tjetër, ai që Meta i kishte ‘prerë kokën’, kosovari i padëshiruar Genti Cakaj.

Kryeministri Rama sot shkoi në selinë e Ministrisë së Jashtme dhe thërriti Gent Cakaj, i dorëzoi trofeun që i dha dje Meta, dmth., dekretimin si ministër i jashtëm. Kryeministri e shpalli zotin Cakaj Ministër, me emërtesën ‘ministër i deleguar’.

Një ditë pas betimit të tij nga presidenti Ilir Meta në postin e ministrit të Jashtëm, kryeministri Edi Rama ia ka deleguar këtë detyrë Gent Cakajt.

Pasi mori fjalën para të pranishmeve, kreu i qeverisë tha se ky ishte fjalimi më i shkurtër i jetës së tij. “Fjala më e shkurtër e jetës time. Unë nënshkruari Edi Rama në funksionon e kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, i delegoj zotit të Gent Cakaj, zv/ministër për Punët e Jashtme, detyrën e drejtimit të ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme dhe të përfaqësimit të ministrit brenda dhe jashtë vendit”, tha Rama.

Ndërsa më pas i dorëzoi Cakajt dekretin e presidentit Ilir Meta.

Këtu mbaroi ‘loja e shahut’. Sipas parashikimeve, me  ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, zoti meta mund të mos ketë mundësi të luajë më ‘’shah’ presidencial.

Veritas.com.al/