Nga Laert Skiro/
Po të mos ishte ‘Ballisti, këta çfarë do të bënin? Do të qethnin viçat?….
Ballisti nuk është ai i Luftës së Dytë. Ballistin e luftës së Dytë letërsia dhe ‘gestapoja’ komuniste e kishin bërë copë.
Me siguri- edhe kjo nga frika.
Ndoshta edhe sot, një tip aventurieri që ka një emër tjetër, me mbiemër Morina, ka marrë mbi vete pseudonimin ‘Ballist’ , pikërisht duke e ditur se si komunistët edhe anti-komunistët kanë frikë nga ‘ballistët’.
Ky Ballisti epokës së re, kreu një palaçollëk në Beograd, lëshoi një mjet fluturues në fushën e lojës së futbollit mes dy shteteve, dhe… veç kur na doli hero. Ka bërë edhe njëmijë aventura të tjera, por i falen… madje i falen edhe krimet penale si armëmbajtja pa leje, veç për shkak të mrekullisë së palaçollëkut që kreu në Beograd.
Por doli një gjykatë në një shtet tjetër, në Kroaci, që e ndëshkoi për krimet. Pas kësaj, vetë Beogradi që është prekur nga veprat e këqija të ‘Ballistit’ e kërkoi në gjykatën e tij që ta gjykojë…
Po pas kësaj?
Pas kësaj u tund shteti, qeveria dhe populli shqiptar që ‘Ballisti’ as mos dënohet, as mos ekstradohet në Beograd. Njerëz pa bukë e pa një ditë plazhi për fëmijët, me dhëmbë e pa dhëmbë, janë ngritur e i kërkojnë shtetit si provë ‘mbrojtjen e Ballistit nga armiqtë Serb’.
Çudia e madhe se sot edhe vetë kryetari i shtetit, presidenti Ilir Meta, ka thërritur në audiencë ambasadorin e Kroacisë në Tiranë, zonjën Sanja Bujas-Juraga.
E ka thërritur kreu i shtetit për t’i kërkuar që qeveria e saj të mos ‘e prekë’ Ballistin….
Çudira pa fund. Presidenti i Republikës, zakonisht e thërret ambasadorin e një vendi o në prag lufte, o në prag inondatash, ose për nota të nivelit të lartë shtetëror…. Po me Ballistin, një tip që edhe vetë presidenti e neverit, edhe kushdo e neverit- vallë pse ngërthehet morsa e luftës me fqinjët?
Përgjigja e afërt është se “kështu e do populli”… Po pse ore, presidenti dhe qeveria dhe elita, dhe shkolla, dhe mençuria…, qenkan për t’i shkuar popullit mbrapa apo për të prirë popullin?… Madje disa vetë të pa mend që bëjnë zhurmë nuk janë ‘populli’, se nuk duhet fyer populli.
Një përgjigje tjetër është se udhëheqësit nuk kanë punë. Po të mos dalë ndonjë ‘Ballist’ atëherë do të ‘qethnin viçat’. Udhëheqësia jonë ia ka lënë vendin rastësisë dhe budallëkut, sepse kështu qeveriset më lehtësisht.
Veritas.com.al/