Në një intervistë televizive për Syri TV, ish-presidenti Ilir Meta deklaroi për herë të parë se Monika Kryemadhi nuk është më bashkëshortja e tij.
Ilir Meta shtoi se për këtë çështje ka nisur dhe procedurat ligjore, teksa shprehet se ka folur dhe me fëmijët për këtë gjë.
“Monika Kryemadhi është tashmë ish-bashkëshortja ime dhe sot kam ndjekur edhe rrugën juridike për këtë çështje dhe kam njoftuar edhe djalin tim Besar Ilir Meta”, tha mes të tjerash Meta.
Ndarja e Ilir Metës me Monika Kryemadhin nuk vjen si një rrufe në qiell të hapur. Çifti prej kohësh kanë patur jo vetëm mosmarrëveshje politike, por edhe familjare.
Ilir Meta shpesh herë e ka akuzuar Kryemadhin se e dëmtoi rëndë partinë që la pas kur u emërua president, me braktisjen e mandateve.
Divorci politik mes Metës dhe Kryemadhit u zyrtarizua në Konventën e 27 Prillit, ku me ndryshimet statutore Monika Kryemadhi u përjashtua nga forumet e partisë dhe tashmë është vetëm një anëtare thjeshtë.
Kryemadhi asokohe deklaroi se nuk do bënte betejë, por do angazhohej vetëm për familjen. Prej asaj kohe Kryemadhi është shkëputur nga jeta politike dhe ka bërë vetëm një dalje për mediat nga Kryesia e Kuvendit ku depozitoi ndryshime ligjore në ligjin për statusin e deputetit.
Së fundmi, në daljen e tij nga ambientet e SPAK, ish-presidenti lëshoi dhe një deklaratë më të fortë për ish-bashkëshorten nga sot, se me paratë ishte marrë ajo, kurse ai vetë ka bërë vetëm politikë.