Kliti Topalli/ Ekskluzive
Shtohen telashet për presidentin Ilir Meta. Gazeta “SOT” pak ditë më parë e paralajmëroi se do të ngrihej një Komision Hetimor për aferat me shtetësitë dhe sot Partia Socialiste do të hedhë hapin e parë në këtë drejtim.
Presidenti ka dhënë qindra nënshtetësi me procedurë të përshpejtuar, ku përveç shumë intelektualëve që e meritojnë pasaportën shqiptare, ka qindra të tjerë që nuk kanë asnjë vlerë sportive, kulturore, ekonomike apo arsimore.
Dyshimet janë se kemi të bëjmë me shpërdorim detyre nga ana e kreut të shtetit, pasi fakti që janë dhënë kaq shumë pasaporta dhe në kohë shumë të shpejtë, të bën të mendosh se nuk janë ndjekur të gjitha hapat e duhura. Për këtë arsye, Komisioni i Sigurisë ka vendosur të marrë masa dhe të hetojë se si qëndron e vërteta.
Ditën e sotme, komisioni do të zhvillojë një seancë dëgjimore me gazetarin Adriatik Doçi, i cili ka botuar disa artikuj mbi skandalin, ndërsa më pas do të ketë dhe shumë seanca të tjera. Një burim nga komisioni i tha gazetës se pas seancës, Komisioni i Sigurisë do i drejtohet me një shkresë Presidencës për të marrë të gjithë dokumentacionin e dhënies së nënshtetësive për lojtarin e Tiranës, Uinful Kobina dhe për qytetarët nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe vende të tjera.
Bëhet fjalë për 800 emra të cilët kanë marrë shtetësi me procedurë të përshpejtuar. Po ashtu do të merren informacione nga Ministria e Brendshme dhe nga Shërbimi Informativ Kombëtar për të nëse presidenti ka ndjekur procedurën ligjore apo i ka dhënë pasaporta pa bërë verifikime.
Hapen dosjet sekrete
Presidenti Ilir Meta dje ishte në një konferencë për mediat ku foli për rastin e futbollistit afrikan. Presidenti tregoi një dosje ku shprehet se nga dokumentet që i ka dërguar Shërbimi Informativ Kombëtar rezulton se Uinful Kobina nuk përbën kërcënim për sigurinë kombëtarë. Por kreu i shtetit tha se nuk mund t’i publikojë dokumentet sepse janë sekret shtetëror.
Mirëpo gazeta ka mësuar se një ndër dokumentet që do të kërkojë Komisioni i Sigurisë është pikërisht letërkëmbimi mes Presidencës dhe SHISH. Deputetët e Komisionit janë të gjithë me certifikatë sigurie e për këtë arsye Presidenca është e detyruar ta vërë në dispozicion. Aty do të zbulohet nëse presidenti mashtron, apo është i zhytur dhe SHISH në këtë valle, duke nxjerrë të pastër një person që rezulton nën hetim nga prokuroria për falsifikim të leje-qëndrimit.
Komisioni Hetimor
Komisioni i Sigurisë do të bëjë një shqyrtim paraprak të të gjithë procedurës që ka ndjekur presidenti dhe nëse konstatohet se kemi të bëjmë me shkelje të ligjit atëherë do të propozohet ngritja e një Komisioni Hetimor, i cili do të thellojë verifikimet dhe të hartojë një dokument që do i shkojë seancës plenare.
Nëse rezulton se ka shkelje procedurale, presidenti rrezikon si shkarkimin, ashtu dhe ndjekjen penale, pasi kemi të bëjmë me shpërdorim detyre. Ditët e fundit ka pasur një luftë të fortë mes presidentit dhe mazhorancës sa i takon Kodit Zgjedhor, por çështja e shtetësisë duket se e ka kapur mat kreun e shtetit, i cili tashmë është i detyruar të japë sqarime. Një Komision Hetimor për të dështoi, por nëse ngrihet një i dytë, e sigurt është se do kërkohet shkarkimi i tij, pasi PS do humbiste shumë elektorat nëse kthen sërish mendje. /Kliti Topalli