Koment/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta, dekretoi ‘zgjedhje të dyta’ lokale pas zgjedhjeve të 30 qershorit dhe i vuri datën ’13 tetor’. Pas kësaj u ngjit në male, atje ku ‘kullosin bagëtia’, sipas Naimit të Rilindjes. Asosacioni që iu krijua presidentit teksa ishte në male, ishte pikërisht mes fjalës ‘bagëtia’ dhe ‘opozita’. Të dyja janë nën urdhrat e ‘bariut’ president i Republikës.

Ilir Meta që prej fillimit të rolit të tij në selinë e ish- ambasadës së Rusisë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, nisi të rrëmojë pak nga pak derisa u vu në krye të opozitës. Partia e tij LSI po rrëshqiste në lumë dhe kryetari i Republikës mendoi që të mbajë opozitën dhe të rrëzojë Presidencën e Republikës.

Mirëpo tani po vë re se opozita nuk dëgjoi nga veshi ‘dekret për zgjedhje të tjera’. Partia Demokratike, të cilën e kishte yshtur në akte dhune dhe në prapësi terroriste gjatë muajve shkurt deri në korrik, nuk iu bind dekretit të presidentit. PD nuk aplikoi për regjistrim si objekt zgjedhor në KQZ. As aleatët e PD nuk u regjistruan. Partia e Metës, LSI që kryesohet nga bashkëshortja, bëri një akt sa për të thënë dhe minutat e fundit tha ‘po kërkojmë regjistrim’. Opozitarët aleatë të PD deklaruan publikisht se ‘ato zgjedhje nuk realizohen’.

Meta ka ngelur në mal, pa tufën e opozitës që teksa vetë ngjitej në mal, opozitën e e hodhi në greminë politike.

I mërzitur nëpër male, i mbetur pa dekrete, pa zyrë, pa opozitë, Presidenti i Republikës Ilir Meta i ka drejtuar një apel të fortë opozitës, thuajse kërcënim. Në një postim në “Facebook” mëngjesin e sotëm Kreu i Shtetit shprehet se zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje dhe se çdo gjë tjetër është alibi dhe bashkëfajësi.

Duke qenë në malet në kufi me ish- Jugosllavinë, Meta ka kujtuar Titon dhe Milloshevicin. Ai sjell si shembull rastin e opozitës në Serbi pas luftës në Kosovës, ku u përball me regjimin e Millosheviçit, ndërsa shton se 18 tetori, data e vendimit për negociatat po afron.

“Zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje. Vetëm duke qëndruar në anën e ligjshmërisë dhe pjesëmarrjes në institucione, opozita mund të ndihmojë vendin, demokracinë, drejtësinë, por edhe vetveten. Nëse opozita në Serbi do të priste që Millosheviçi të dënonte Millosheviçin, apo të garantonte zgjedhje të lira e të ndershme, padyshim që edhe sot e kësaj dite ai mund të ishte në pushtet po të mos i pushonte zemra.

Por opozita mori vendimin më të drejtë duke u bashkuar, duke u përballur me të dhe duke e mundur. Më pas i vuri prangat dhe e përcolli për në gjykatën e Hagës. Ndaj zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje për demokraci dhe drejtësi.

Çdo gjë tjetër është justifikim, alibi dhe bashkëfajësi! 18 tetori po afron!”, shkruan Presidenti Meta.

Njeriu i vetmuar ka të drejtën e zotit ta humbë mendjen, të ngatërrojë epokat, të shkruajë dekrete dhe fermanë pa vlerë dhe pa fund.

Këtë po përjetojnë të qeverisurit shqiptarë nën këtë piramidë absurde.

VERITAS.COM.AL/