Bizneset që prisnin lehtësim të taksave, por edhe nëpunësit publik, të cilët kanë shpresuar për rritje pagash do të mbeten të zhgënjyer. Ministria e Financave bën të ditur se politika e ashpër buxhetore do të vazhdojë edhe për disa vite të tjera si pjesë e programit të saj për të ulur borxhin.

“Politika fiskale për periudhën afatmesme 2017-2019 do të jetë e orientuar drejt konsolidimit fiskal ndërkohë që siguron një nivel optimal investimesh rreth 4.5 përqind të PBB”, thuhet në relacionin shoqërues të kuadrit të ri makroekonomik dhe fiskal 2017-2019.

Sipas qeverisë kjo politikë e konsolidimit fiskal dhe reduktimit të borxhit publik është thelbësor për uljen e risqeve të ardhura nga borxhi, të cilat pengojnë rritjen ekonomike dhe shkaktojnë paqëndrueshmëri makroekonomike.