Në takimin e fundvitit me përfaqësues të medias, ministri i Jashtëm, Igli Hasani, u përgjigj pyetjeve lidhur me negociatat me Greqinë, përfshirë çështjen e pensioneve dhe marrëveshjen e detit.

Ai theksoi se negociatat me Greqinë janë të shumëfishta dhe të trajtuara me kujdes maksimal, ku interesi kryesor është të çohen përpara marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Europian, duke ruajtur një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të shëndoshë me shtetin fqinj.

Për sa i përket çështjes së njohjes së pensioneve, Hasani shpjegoi se ka pasur një angazhim serioz dhe një mirëkuptim të thellë nga pala greke, dhe se procesi vijon me vëmendje, duke mos lejuar që detajet teknike të ndikojnë në përfundimin e suksesshëm të negociatave.

Ai gjithashtu e theksoi rëndësinë e një angazhimi të vazhdueshëm për të arritur rezultate konkrete dhe për të avancuar Shqipërinë në procesin e integrimit në BE, duke përmendur hapjen e dy kapitujve të rëndësishëm në këtë drejtim.

“Negociatat me Greqinë ka shumë vektorë e mënyrë që ne I trajtojmë me kujdes e vëmendje maksimale. Në të gjithë këtë përpjekje prevalon interesi i qeverisë shqiptare për ta çuar sa më shpejtë e sa më pranë Shqipërinë pranë BE-së duke mos lënë pas themelet e një marrëdhënie të mirë e të shëndoshë.

Kemi pasur një mirëkuptimin dhe angazhim shumë të mirë e serioz me republikën e Greqisë në rastin konkret. Është e rëndësishme të mos jetë përpjekje mikrofoni por punë tavoline, duke u futur në të gjithë detajet e nevojshme por dhe duke u kujdesur që detajet të mos prishin të tërën. Është e rëndësishme të vijojmë të kemi këtë angazhim jo vetëm me fqinjët tanë jugorë për të arritur rezultate të prekshme, siç ishin konkretisht edhe fakti që u hapën dy grupkapitujt më politikë në të gjithë procesin”, tha ministri.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *