Ministri i Brendshëm Dritan Demiraj kreu sot një inspektim me helikopte për të monitoruar kultivimin e lëndëve narkotike ‘kanabis sativa’.

Gjate këtij inspektimi që u shtri në të gjithë territoret që kanë qenë problematike gjatë vitit të kaluar nuk është evidentuar asnjë rast i kultivimit të bimëve narkotike.

Edhe nga raportimet që Ministri Demiraj ka marrë nga Policia e Shtetit nuk rezulton të ketë kultivim në masë të lëndëve narkotike, me përjashtim të rasteve te izoluara që janë evidentuar dhe asgjësuar.

Gjatë fluturimit me helikopter ministri Demiraj ka bërë iteneratin, Tiranë, Krrabë, Elbasan, Cërrik, Bregu i Lumit të Vlores, Gjirokastër dhe kthim.

Ministri Demiraj ka inkurajuar Policinë e Shtetit të përqendrohet në evidentimin dhe sekuestrimin e sasive stok të lëndëve narkotike të trashëguara nga viti i kaluar, në mënyrë që trafikimi i tyre jashtë territorit të Shqipërisë të minimizohet dhe parandalohet plotësisht.

Dritan Demiraj është ministri i brendshëm, i propozuar nga PD në Opozitë si pjesë e marrëveshjes së 18 Majit mbi ‘qeveri teknike’ mes PS dhe PD. Qeveria ‘teknike’ u krijua në kulmin e krizës politike Opozitë- Maxhorancë, ku opozita refuzoi të shkojë në zgjedhjet e qershorit për shkak se ‘nuk mund të ketë zgjedhje të ndershme kur vendi ku stivon drogë në masë”.

Vetëm 12 ditë pas zgjedhjeve, ministri opozitar deklaron se ‘nuk ka më drogë’.

Veritas.com.al/