Ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri ka deklaruar se kompania fitues në një nga lotet e projektit të “Unazës së Re” ka falsifikuar dokumentet dhe kjo është dokumentuar edhe nga autoritetet amerikane.

Bëhet fjalë për kompaninë DH Albania, e cila sipas tij ka falsifikuar dokumentet jashtë territorit të Shqipërisë.

“Kam komunikuar për të marrë informacione nga autoritetet amerikane. Nga përgjigjet e ardhura dje, thuhet se një pjesë e paraqitur nga DH Albania është e falsifikuar. Pas marrjes së këtij konfirmimin, ARRSH ka zgjidhur kontratën. Sot që flasim ARRSH ka bërë ndërprerjen e kontratës”, tha ai.

Gjithashtu në fjalën e tij, ministri theksoi se çështja i ka kaluar Prokurorisë shqiptare për të ndjekur të gjitha rrugët  ligjore.

“Materialet do t’i referohen prokurorisë shqiptare. Të njëjtën praktikë ka ndjekur edhe OST. Kontratat nuk ka nisur të zbatohet. Dua të them se falsifikimi i dokumenteve është bërë jashtë territorit të Shqipërisë”, shtoi ai.

Ndërkohë Gjiknuri tha se të gjithë përgjegjësit do të japin llogari, përfshirë edhe vetë ministrin, por ai tha se nuk ka asnjë përfshirje në falsifikimin e dokumenteve.

Ai tha se shtetit shqiptar nuk i është shkaktuar asnjë dëm ekonomik, ndërsa pohoi se të gjitha lotet në këtë segment do të kalojnë në sitën e Prokurorisë.

“Legjislacioni nuk kërkon verifikimin e informacionit të ofertuesve përveç rasteve specifike kur ka dyshime të arsyeshme për të dhëna të rreme. ARRSH nuk ka patur asnjë detyrim që të kërkonte verifikim informacione. Sot kam propozuar ndryshime për prokurorimin publik, i jam drejtuar agjencisë. Ofertuesit ti verifikohet informacioni përpara lidhjes së kontratës.

Nuk rezulton të jetë shkaktuar dëm shtetit, përsëriti ministri. Të tre lotet do të shkojnë në hetim dhe nga kjo do të dalin të vërtetat.

Proceduarat do të rihapen nga e para për Unazën. E keqja ndodh, ka ndodhur edhe në Pentagon, por varet si reagon, tha ministri Gjiknuri.

Veritas.com.al/