
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në fjalën e saj para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që t’i trajtojë seriozisht veprimet destabilizuese të Serbisë kundër Republikës së Kosovës dhe, njëkohësisht, ta ndalojë logjikën e mohimit e relativizimit të krimeve të rënda që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkan.
Duke folur lidhur me sulmin e armatosur të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, ku humbi jetën polici Afrim Bunjaku, Ministrja Gërvalla deklaroi se ‘ky nuk ishte thjesht një incident i izoluar’, por një akt i planifikuar agresioni me bazë në Serbi dhe i kryer nga grupe paramilitare të udhëhequra nga terroristi Milan Radoiçiq, një person i lidhur ngushtë me elitën politike serbe, shkruan A2 CNN.
“Ta quash këtë një ‘incident serioz sigurie, siç e përshkruan raporti i UNMIK-ut, është shtrembërim i hapur i realitetit. Ky ishte një akt i pastër agresioni i sponsorizuar, armatosur dhe mbështetur nga Serbia. Ishte terrorizëm shtetëror. Ishte akt lufte,” u shpreh Ministrja Gërvalla.
Tutje, ministrja vuri theksin edhe mbi sulmin e 29 nëntorit 2024 ndaj kanalit Ibër-Lepenc, një sulm ky që kishte për objektiv infrastrukturën kritike civile dhe që rrezikoi jetën e mijëra qytetarëve.
Ministrja Gërvalla deklaroi se Serbia ka refuzuar të bashkëpunojë në hetime, përkundër deklarimeve të saj publike. Gjithashtu, Ministrja e ka kritikuar raportimin e UNMIK-ut, duke e cilësuar të njëjtin si të njëanshëm dhe në shpërputhje me realitetin në terren.
“UNMIK-u nuk po e dëmton më Kosovën, po e dëmton kredibilitetin e Kombeve të Bashkuara. Ndryshe nga agjencitë e tjera të OKB-së që janë partnere të vërteta, UNMIK-u është kthyer në një pengesë për të vërtetën,” ka deklaruar ajo.
Duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar për drejtësi, Ministrja Gërvalla ka kërkuar që Serbia t’ia dorëzojë autoriteteve kosovare Milan Radoiçiqin dhe pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist, dhe të ndalet mbështetja shtetërore për strukturat kriminale në Kosovë.
Në përmbyllje, ministrja ka deklaruar se Republika e Kosovës është një demokraci e konsoliduar, që i respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve dhe është model për stabilitet në rajon. Megjithatë, ka shtuar ajo, pa drejtësi dhe pa emërtim të saktë të krimeve, paqja do të mbetet e brishtë. (A2 Televizion)
Komente