Gjithë zona është vënë në rrezik dhe në alarm nga reshjet e pashembullta që ranë këto dy ditë. Çdo ditë kanë rënë mesatarisht 110- 120 mm reshje në 24 orë, kur normalisht kaq reshje bien në një muaj.
Situata është e vështirë dhe me rrezik.
Drejtoria e Emergjencave Civile raporton për situatën e përmbytjeve në Mirditë, Dibër dhe Kurbin. Sipas tyre, “reshjet intensive të rëna kryesisht në orët e pasdites së djeshme kanë shkaktuar përmbytje në zonën e Kurbinit. Një shtetas ka humbur jetën aksidentalisht, si dhe ka patur dëme në banesa, bagëti dhe prodhime bujqësore.
Në ndihmë të banorëve të prekur nga reshjet kanë shkuar strukturat e Emergjecave Civile, forca zjarrfikësve, policore, ushtarake dhe të njësive vendore.
Në operacionin në zonën e Laçit janë angazhuar 152 punonjës, 30 mjete dhe 10 motobarka: 12 punonjës të strukturave të Emergjencave, 20 forca të FNSH, Shkodër, 30 forca zjarrfikëse të Laçit, Lezhës, Mirditës; 60 forca ushtarake dhe 30 forca të Policisë lokale.
Si pasojë e rritjes së prurjeve të përroit, ujërat dolën shtrati. Dje rreth orës 19:00 pati stuhi me intesitet shumë të lartë duke u krijuar gjendje kritike për banorët e qytetit të Laçit.
Për shkak të reshjeve intensive dhe daljes së ujërave të përroit shtetasi Kol Mënga, 48 vjeç ka humbur jetën duke u përfshirë nga rryma e fuqishme e ujit.
Forcat e MZSH-së, u gjendën të parat në vendngjarje .
Deri tani janë përmbytur 30 banesa në zonën e stadiumit, 20 banesa të lagjen “Demokracia”, si dhe disa banesa në lagjen Sanxhak të Laçit.
Në oborret e banesave ka shumë ujë, kurse në tokat bujqësore ka dëme të kulturave bujqësore të stinës.
Në Shullaz dhe në Malbardhë, dalja e ujërave të përroit ka sjellë përmbytjen e rreth 50 banesave.
Në afërsi të autostradës janë evakuar 6 familje. Në fshatin Delbënisht janë dëmtuar segmente të rrugës kryesore, duke ndërprerë lëvizjen e mjeteve.
Në fshatin Lurth, Mirditë, ka dëmtime të banesave, në bagëti dhe në prodhime bujqësore. Janë evakuuar 2 familje.
Në Komsi të Matit, ka ndodhur një rrëshqitje dheu duke dëmtuar një banesë.
Në Mat është evakuuar vetëm një familje.