Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), të martën e 7 dhjetorit, ka njoftuar se rrugët e bllokuara më parë nga reshjet e dëborës janë të hapura për qarkullim.

Bëhet fjalë për rrugët në Valbonë, Qafë Qarri, Dardhë dhe Voskopojë, ku ka pasur reshje dëbore.

Me intensitet mesatar kanë qenë dhe reshjet e shiut në gati të gjithë territorin e vendit, por pa shkaktuar probleme në qarkullimin e mjeteve.

Sipas njoftimit zyrtar, kontraktorët kanë qenë në terren ku kanë bërë pastrimin e akseve nga rënia e gurëve apo inerteve. Konkretisht në Qafë Mali-Fierzë, Sopot-Kam, Koplik-Bogë, Dedaj-Razëm, Gramsh-Kodovajt dhe në zonën e Poçemit.Në përmbyllje, ARRSH, përmes një postimi në median sociale Facebook, iu ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve që të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë.