Ne besojmë se Rilindja ka ushqyer me qëllim banalizimin dhe vulgarizmin e politikës, duke sjellë në këtë parlament si dhe në administratën shtetërore njerez që më parë kishin vrarë, kishin dhunuar dhe kishin trafikuar, duke e kthyer banditizmin në një normë shoqërore dhe duke i krijuar vendit imazhin e një xhungle, ku fiton i forti dhe ku humb gjithmonë ai që respekton ligjin.
Rilindja e ktheu Shqipërinë në një ferr për të varfërit, në një burg për të mjerët dhe një parajsë për spekulantët, kriminelët dhe shkelësit e ligjit. Ndoshta edhe pak më shumë se kaq: Parlamentin e Shqipërise e ktheu në konviktin më të madh politik të atyre që kërkohen nga drejtësia ndërkombëtare dhe atyre që duan t’i shpëtojne drejtësisë shqiptare.
Ne nuk duam të jemi bashkë me këta njerëz në një parti.Nuk kemi asnjë arsye të kthehemi në çadër të banditizmit që mbrohet nga shteti.
Ne largohemi sot si njerëz të lirë, të cilët besojnë se Rilindja i tradhëtoi me ndërgjegje të varfërit dhe shtresën e mesme të këtij vendi, duke marrë vazhdimisht masa që cënojnë jo vetëm besimin e tyre tek një rend demokratik, por duke i varfëruar ata edhe më shumë për shkak të masave represive, çnjerëzore, të cilat nuk ishin asnjë ditë reforma, por një eksperiment njerëzor që duhej të ushqente nënshtrimin para detyrimit dhe të testonte poshtërimin e dinjitetit në emër të delirit të pushtetit.
Rilindja beson se një vend duhet të ketë shumë të varfër dhe pak të pasur, kurse ne besojmë se një vend duhet të ketë sa më pak të varfër, në mënyrë që të ketë më shumë të pasur dhe në këtë çështje ndoshta nuk do jemi kurrë dakord.
Rilindja ka zgjedhur të mbrojë pakicën, ne duam të mbrojmë shumicën.
Ne jemi të bindur se Rilindja e cënoi me qëllim arsimin publik, duke lënë rrugëve mijëra fëmijë dhe studentë, në emër të të cilëve prindërit e tyre kishin paguar taksa për një të ardhme më të mirë se ajo që kishin patur.
Nëse një rregjim vendos t’i tradhëtoje qytetarët e vet, kete nuk e bën as tek ushqimi, as tek kurimi, as tek taksimi, as tek pensionimi, por tek arsimi. Ne këtë drejtim Rilindja është unike. Të gjitha qeveritë zakonisht tradhëtojnë të shkuarën. Rilindja ka vendosur të tradhëtoje të ardhmen, duke e nisur me arsimin, të cilin e degradoi krejtësisht. Kurrë një vend nuk ka prodhuar më tepër injorancë dhe mediokritet. Rilindja do mbahet mend si laboratori më i madh i injorancës në historinë e këtij vendi dhe nuk ka nevojë të shkojmë shumë larg: Shihni çfarë ka sjellë në parlament, për ta kuptuar dashurinë e Rilindjes për budallallëkun dhe injorancën.
A mund të bashkëjetonim ne në këto kushte?
Pothuajse e pamundur dhe e panevojshme.