13 persona, mes tyre 3 shqiptarë kanë rënë në prangat e policisë për 62 mijë litra naftë kontrabandë që vinte nga Libia dhe kishte destinacion Shqipërinë.  Operacioni zgjati 48 orë, në det dhe në tokë dhe u bllokuan 2 anijet “Geni” dhe “Abobakr 124” dhe u arrestuan pjesëtarët e ekuipazheve të tyre.

Ata akuzohen për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Kontrabanda e kapitenit, pilotit ose ekuipazhit”, dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Ndërsa në ekuipazhin e anijes libiane ishin Muhamed Arafe, 48 vjeç,  Ahmed Zantawi, 34 vjeç, Ahmet Abdurrabu, 32 vjeç, Said Nwegi, 38 vjeç, Muhamed Mahmut, 61 vjeç, Eshref Kahlife, 34 vjeç,  Islam Ashkar, 34 vjeç, Ali Hadad, 43 vjeç dhe  Adil Badawi, 55 vjeç.

Këta janë arrestuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabande” dhe “Kontrabanda e kapitenit, pilotit ose ekuipazhit”.

Anijet u konstatuan më 12 janar dhe një ditë më pas u krye operacioni i policisë shqiptare në bashkëpunim me Guardia di Finanza, Zyrën Ndërlidhëse italiane me qendër në Shqipëri dhe rojën detare. Si rezultat i koordinimit të shërbimeve u bë i mundur identifikimi i dy anijeve të peshkimit të cilat dyshohet se po realizonin veprimtarinë e kundërligjshme të naftës kontrabandë, në det. Në operacion u përfshi edhe avioni i GDF-së, e Barit të Italisë.

Detajet e operacionit të përbashkët ‘Geni’ u dhanë në një konferencë për media ku ishin Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin Drejtues i Lartë Saimr Boshnjaku, së bashku me Drejtorin për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit Gentian Ndoi, Kapiten Pascale Paolo dhe Lougotenente Prosdocimo Marco të Nuklit Detar të GDF-së në Durrës, si dhe përfaqësuesin e zyrës së Interforcës Italiane në Shqipëri  Ferdinando Rucco.

Struktuarat hetimore, nën Drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijojnë punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.