Frrok Çupi/
‘Nesër’ nuk ka. Tunelet e ‘Rrugës së Kombit’ duket se nuk kanë më dalje; qeveria dhe populli janë përballur si në betejën e fundit. Këtu është mbyllur ‘tuneli’ i shtetit, pa dritë.
Kjo ka ndodhur edhe dy herë të tjera në historinë moderne të shtetit shqiptar. Hera e parë ishte nata kur sulmoheshin studentët e grevës së Urisë, (shkurt 1991), kundër diktaturës komuniste. Hera e dytë ishte në mesin e marsit 1997, kur presidenti i Republikës detyrohet të japë dorëheqjen dhe administrimin e vendit ta marrë në dorë austriaku Franz Vraniski.
Herën e parë, shkurt 1991, studentët kërkonin hapjen e ‘tunelit’ drejt Europës, duke nisur me heqjen e simboleve të diktaturës, fillimisht emrin dhe kultin e diktatorit Hoxha. Herën e dytë, pasi shteti provokoi qytetarët e vendit- fillimisht me piramidat financiare e më pas me ushtrinë, u kërkua dorëheqja e presidentit të Republikës…
Në asnjërën nga këto ngjarje nuk kishte më dritë. Presidenti Ramiz Alia, një mbrëmje të ftohtë të 16 shkurtit 1991, i tha një delegacioni të Partisë Demokratike: “Hiqini studentët nga greva”. Demokratët nuk pranuan dhe presidenti komunist mbodhi gishtat e dorës si të mblidhte një cigare duhan dhe tha: “Deri tani kisha kaq pak dritare. Tani nuk kam asnjë pikë dritë”…
Kështu përfunduan dy presidenca në historinë tonë moderne: Pa dritë në tunel.
Tani ndodhemi përsëri në të njëjtën situatë. Simbolika bëhet edhe më konkrete, pasi kemi të bëjmë me tunelet e Rrugës së Kombit, ku qeveria ka vendosur kontrollin dhe populli është ngritur me zjarr si në dy ngjarjet e para. Sonte protestuesit ndodhen në qelitë e burgjeve; ndërsa populli akoma më keq.
Nesër nuk ka dritë. Shteti nuk ka rrugë tjetër: O dorëheqjen e qeverisë, o kaos!
1.
Nuk ka dritë për të kaluar në Kosovë. Kosovarët janë bashkuar me protestuesit e Kukësit dhe nuk bëjnë asnjë lëshim. Qeveria duhet të zgjedhë: O të bëjë armiq Kosovën, Kukësin, Shkodrën dhe veriun në përgjithësi, o të largohet. Nëse qeveria do që të ndajë Veriun dhe Kosovën nga trungu- këtë nuk e lejon Amerika që ka investuar për paqen dhe unitetin e vendit
2.
Nuk ka dritë për t’u kthyer aty ku ishte.
Nëse Qeveria po mbahej në cicmic- kjo ndohte jo pse qeveria po punonte mirë, por sepse populli nuk po gjente një shkak për të shpërthyer. Tani shkaku ja ku është: Taksa e rrugës, të burgosurit, sharjet nga qeveria, terrori policor… A mund të kthehet më qeveria? Edhe sikur të kthehet në mes të ‘tunelit’, këndej nga ka hyrë është mbyllur çdo gjë, nuk ka më dritë. Një qeveri që e shkel popullin kaq fort, nuk mund të kërkojë që populli të bëhet sixhade për herë të dytë.
3.
Nëse maxhoranca ka ndërtuar një plan djallëzor për të nxehur popullin me qëllim që t’i japë oksigjen opozitës dhe pas kësaj qeveria të mbajë në krah këtë opozitë që i shërben, përsëri e ka plan ‘pa dritë’. Populli u ngrit më këmbë jo për Opozitën dhe as në udhëheqjen e opozitës. Aq sa nuk votohet më qeveria, aq nuk votohet as opozita- edhe sikur të bëhet pjesë e revoltës. Edhe këtu është mbyllur drita.
4.
Nëse qeveria është inspiruar nga presidenti i Turqisë për të vënë Kosovën në ‘tenxheren me presion”, këtu ka dështuar. Ky variant është më i mundshmi. Presidenti autokrat i Turqisë ka kërkuar nga Tirana zyrtare që të bllokojë qeverinë e Kosovës për shkak se kryeministri kosovar liroi nga detyra ministirn shërbëtor të Osmanllisë. Qeveria e Tiranës i ka premtuar Turqisë se do të shërbejë me kokë të ulur. Po në këtë rast plani dështoi. Dështoi sepse malësorët e Kukësit dhe patriotët e Kosovës u ngritën e dogjën planin…
Flakët e ndezura te hyrja e tunelit nuk janë dritë për qeverinë; por janë një gjë tjetër e kundërt.
Veritas.com.al/