Nga sot, zërit intelektual shqiptar do t’i mungojë një antikonformiste e të gjitha drejtimeve. Kozara Kati, është ndarë nga jeta në mëngjes, ndërsa priste që në dhjetor të këtij viti, të mbushte 76 vjeç.
Kozara Kati, vajza e ish-ministrit të kohës së diktaturës Vasil Kati, së bashku me familjen u internua për një kohë të gjatë, gjatë kohës së komunizmit pas arrestimit të të atit.
Ajo së bashku me aktivistë të tjerë, qëndroi tre ditë me radhë në shesh, përballë kryeministrisë, derisa qeveria e re e Edi Ramës vendosi të dalë kundër kësaj nisme që ishte propozuar nga SHBA. Me një personalitet të fortë, me një vullnet të hekurt, me një vokacion të fuqishëm dhe me energji të pashtershme, Kozara Kati ishte e para në të gjitha nismat e përbashkëta të shoqërisë civile, duke fituar një vend të rëndësishëm në komunitet. Ajo ishte një nga drejtueset e para të shoqërisë civile në Shqipëri.
U angazhua për gati dy dekada me Qendrën Shqiptare për të Drejtat e Njeriut, ndërsa vitet e fundit ishte anëtare dhe më pas kryetare e Bordit Mbikqyrës të Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile. “Znj. Kozara Kati ka dhënë një kontribut të pazevëndësueshëm për zhvillimin e Shoqërisë Civile në vend, sidomos në fushën e të Drejtave të Njeriut, të Drejtat të Fëmijëve, mbështetjen për barazinë gjinore dhe mosdiskriminim.
Kujtimi i saj do të mbetet i paharrueshëm për natyrën e saj të sinqertë, të drejtpërdrejtë dhe dashamirësinë në marrdhëniet njerëzore” – thuhet në një deklaratë të kësaj agjencie.
Ajo do ti mungojë më së pari familjes së vet, miqve, të afërmëve dhe atyre që e kanë njohur. Familja njofton që lamtumira dhe ceremonitë mortore do të zhvillohen në 11 tetor. Përcjellja e saj për në banesën e fundit, Sharrë, do të bëhet në orën 11.00 të paradites së nesërme. Ndërkohë që sot pas orës 16.00 në rrugën Bardhyl në Tiranë tek FU Univers, familja ka hapur ceremonitë.