Është ndarë sot nga jeta legjenda e peshëngritjes shqiptare, “Mjeshtri i Merituar i Sportit”, Mirjan Hakani. Ai ndërroi jetë në moshën 55 –vjeçare pasi vuante nga një sëmundje në zemër. Në fund të vitit 2013 Hakani iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale të vështirë në zemër. Gjatë karrerierës së tij Hakani ka vendosur mbi 100 rekorde në peshëngritje.
Pak ditë pas operacionit në zemër ai rrëfeu se për realizimin e tij e kishte ndihmuar kryeministri Rama. “Në fakt, për hir të së vërtetës vuaja prej kohësh nga zemra, por e kisha të pamundur për arsye objektive t’i nënshtrohesha një ndërhyrjeje jo vetëm specifike, por dhe të kushtueshme nga pikëpamja financiare e që ishte e papërballueshme për mua dhe familjen time. Kisha tentuar të isha në kontakt edhe drejtuesit kryesorë të Qeverisë së mëparshme, por për arsyet që ata i dinë nuk ma mundësuan ndërhyrje. I dërgova një mesash Kryeministrit Edi Rama, duke i shpjeguar situatën time: “Edi, jam duke vdekur. Duhet me patjetër dhe në mënyrë urgjente të bëj një ndërhyrje shumë komplekse në zemër”. Menjëherë u morën masat e duhura dhe, në harkun e pesë-gjashtë ditëve u organizua shtrimi im në spital”, do të shprehej ai në një intervistë të realizuar në dhjetor të vitit 2013, një javë pas ndërhyrjes.
Hakani ka lënë gjurmë në peshëngritje me rezultatet e tij në vitet 80. Për këto rezultate atij iu dha edhe tittulli “Mjeshtër i Madh i Sportit”.
06 Dhj 2015