Policia ka shtuar kontrollet në pikën kufitare të Morinës ndaj shtetasve dhe mjeteve me të cilat ata lëvizin, në kuadër të planit të masave të Policisë, për garantimin e rendit, sigurisë dhe qetësise publike, para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit Shqipëri – Çeki.

Policia ka ndaluar 12 tifozë, që lëviznin në mënyrë të organizuar me 2 automjete, pasi tentuan të futnin në vendin tonë, lëndë piroteknike dhe mjete prerëse, me qëllim përdorimin gjatë ndeshjes Shqipëri – Çeki.

Në makinat e tyre u gjetën 43 kapsolla, 12 tymuese, 9 flakadanë dhe 2 thika

Policia ushtroi kontrolle të imtësishme në automjetin tip “Volksëagen”, me drejtues shtetasin E. A., 22 vjeç, banues në Preshevë, dhe automjetin tip “BMW”, me drejtues shtetasin F. Ç., 30 vjeç, banues në Kosovë.

“Gjatë kontrolleve në këto automjete, ku ishin dhe 10 pasagjerë në total, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 43 kapsolla, 12 tymuese, 9 flakadanë dhe 2 mjete prerëse (thika), të cilat dyshohet se do të përdoreshin në stadium, gjatë ndeshjes së futbollit që do të zhvillohet mbrëmjen e sotme. 12 shtetasit u shoqëruan në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, me qëllim kryerjen e hetimeve dhe veprimeve procedurale të mëtejshme për posedimin e kundërligjshëm të këtyre sendeve” informoi sot policia e Kukësit.