Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, u nda nga jeta në moshën 95-vjeçare. Njoftimin e dha Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, e cila bëri me dije se Imzot Janullatos ndërroi jetë në spitalin “Evangelismos” në Athinë, ku ishte i shtruar pas përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore.

“Kryepeshkopi ndërroi jetë sot, më 25 janar 2025, në orën 08:30 të mëngjesit, në moshën 95-vjeçare, në spitalin ‘Evangelismos’ të Athinës, si pasojë e funksionimit të pamjaftueshëm të shumë organeve. Më parë, ishte kuruar për disa ditë në një spital privat në Tiranë. Ftojmë besimtarët ortodoksë të Kishës së Shqipërisë të luten për prehjen e shpirtit të Kryebariut të ndjerë.

Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi Anastas, ishte rindërtuesi dhe rigjallëruesi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, të cilën e ngriti tërësisht nga rrënojat pas rënies së regjimit ateist. Me vizionin hyjnor dhe punën e tij të palodhur, ai rindërtoi nga themelet jetën kishtare, ndërtoi qindra kisha, krijoi institucione arsimore dhe bamirëse, si dhe formoi një brez të ri klerikësh, duke ofruar një shërbesë të pandërprerë e sakrifikuese për më shumë se 33 vjet. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!”, shkruan Kisha Ortodokse Autoqefale.

Janullatos ishte Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse të Shqipërisë që prej vitit 1992. U nderua me 27 medalje e çmime dhe në vitin 2000 u propozua për Çmimin Nobel.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *