-Eshtrat e të ndjerit- një javë do të prehen në Katedralen e Shën Palit-

Nga: Veritas.com.al/

Në vitin 1949, ajo çka buronte në zemrën e tij prej dashurisë së pashuar në Krishtin, ia kishte paracaktuar heroikën e qëndrimit të paepur deri në martirizim.

Frati, pena e brishtë e të cilit edhe sot e kësaj dite u jep ngjyrë sentimenteve humane dhe i bën të vibrojnë vrullshëm ato ndjesi artistike që prekin me dorë deri absoluten, në pozitat e primatit të Kishës Katolike në Shqipëri, por edhe si Arqipeshkëv i Durrësit e Tiranës, u vendos përballë propozimit të pështirë të shpërndarjes së grigjës së vet për ta fragmentuar dhe për ta shkëputur nga Kisha Universale. I dënuar me 20 vite burgim, ai vdiq nën tortura.

Presionit të diktaturës për të mohuar fenë, iu përgjigj me të njëjtën mënyrë shprehjeje që reflektonte edhe në fuqinë e vargut:

“Pse, o i mallkuem, ti don me m’hjekë/

Zêmret mue kaq-e dhanti?/

A se din se un di me dekë/

Per Fé shêjte, qi un ndryj n’gji?/

Po, mâ mirë shtatë pash nen dhé,/

Se me bjerrun shêjten Fê./

… e këtë pasdite në përmbyllje të shkurtit 2017, në duart e Arqipeshkvit Metropolitan të Shkodrës Imzot Angelo Massafra, çfarë ka mbetur pas 57 vitesh, prej eshtrave të trupit të martirizuar të Imzot Vinçenc Prennushit, vendosur në një arkivol të vogël, i drejtohet Katedrales së “Shën Palit” në zemrën e Kryqeqytetit.

Pranë hyrjes së Katedrales së “Shën Palit”, Arqipeshkvi Metropolitan i Shkodër-Pultit Imzot Angelo Massafra së bashku me famullitarin e Katedrales Don Marjan Lumçi, i cili ka dalë ta presë jashtë kishës, ndalen për një çast. Shkëmbehet përshëndetja e rastit dhe arkivoli i vogël i dorëzohet Arqipeshkvit Metropolitan të Tiranë-Durrësit Imzot George Frendo, fare pranë hyrjes në Kishë.

Më pas i ndjekur nga sytë e përqendruar të besimtarëve të shumtë, arkivoli i vogël, vendoset pranë elterit të shenjtë, në një pod të rrethuar me lule të freskëta. Sh. T. Imzot George Frendo, duke zbritur shkallët uron mirëseardhjen. Çdo veprim që kryhet pranë elterit të shenjtë flet mbi solemnitetin e momentit, që përjetohet thellësisht. Pasi kryen kremimin, Sh. T. Imzot George Frendo u drejtohet bashkëvëllezërve në kremtimin eukaristik, miqve të ardhur nga Shkodra, po sigurisht edhe besimtarëve të pranishëm, me fjalët e mirëseardhjes në këtë event mjaft të rëndësishëm e solemn.

Ai bën me dije se eshtrat e pararendësit të martirizuar, në shenjë nderimi e lutjeje, do të qëndrojnë për një javë në Katedralen e “Shën Palit” e pastaj do të çohen në qytetin e Durrësit në kryekishën që ka qenë më përpara për të gjithë dioqezën dhe ku i ndjeri Imzot Prennushi shpalosi jetën e tij fetare. Më pas e mori fjalën Sh. T. Imzot Angelo Massafra i cili pas shprehjes “Mirë se ju gjeta…” bëri me dije se eshtrat e të ndjerit Imzot Prennushi, kanë kaluar trajtimit të veçantë për t’i mbrojtur nga prishja.

Në Shkodër, ato u pajisën me dokumentacionin e rregullt si dhe me pergamenat. Gjithashtu besimtarëve duke ngritur dorën lart u tregoi edhe kryqin e martirëve, në të cilin është vendosur pak nga eshtrat e 10 prej 38 martirëve-shenjtër shqiptarë. Theksoi se janë vetëm 10, mbetjet nga eshtrat e trupave të gjetur, për të tjerët nuk ka asnjë gjurmë. Ai përfundoi me ftesën që t’u lutemi martirëve, të kërkojmë hiret e ata na bekofshin e lëvdofshin të gjithëve! Pas Ungjillit të Shenjtë, që i përgjigjej momentit e që u lexua nga famullitari Don Marjan Lumçi, omelinë e mbajti Sh. T. Imzot Angelo Massafra.

/Veritas.com.al/

Image result for katedralja shen palit

(FOTO: Katedralja e Shen Palit)/