Ka ndërruar jetë në mënyrë të papritur Dritan Mezini, një prej ekspertëve më të mirë në fushën e punësimit dhe teknologjisë se informacionit dhe themeluesi i “Dua Punë”. Një lajm i hidhur jo vetëm për të afërmit, por për të gjithë ata që e njihnin dhe kishin bashkëpunim me të.

Gjithmonë i papërtuar për të ndihmuar çdokënd që kërkonte ndihmën apo ekspertizën e tij, i papërtuar me gazetarët për t’iu përgjigjur kurdo për interes publik. Artan Mezini do t’i mungojë botës akademike, opinionit publik, por mbi të gjitha ekonomisë së vendit, që humbi një prej inovatorëve dhe guximtarëve në nisma të rëndësishme.

Me një përvojë të pasur mbi 27 vjet Dritan Mezini solli ekspertizë të plotë në fushën e sipërmarrjes, transformimit dixhital, të tregtisë elektronike, menaxhimit të projekteve, si dhe të burimeve njerëzore.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë një mesazh të trishtuar për vdekjen e parakohshme të sipërmarrësit të njohur Dritan Mezini.

“Nuk e besoj dot që Dritan Mezini nuk është më sot, teksa dje pasdite ishte me ne në tryezën e Këshillit Ekonomik Kombëtar. Nuk e njihja personalisht nga afër, por fjalët për të ishin gjithnjë të mira dhe fjalët e tij ishin gjithnjë interesante.

Një anëtar i spikatur i shumë organizatave, shoqatave, forumeve e platformave, njëkohësisht dhe një sipërmarrës i suksesshëm në fushën e teknologjisë së informacionit, si edhe një mentor i shumërespektuar për plot të rinj lidhur me inovacionin e me tregun e punës. Keqardhje e madhe! U prehtë në paqe”, shkruan kryeministri.

Dritan Mezini ne konferencen e djeshme, ku i pranishem ishte dhe Edi Rama