Koment/
Më 30 qershor nuk do të ketë dhunë apo incidente të shkaktuara nga PD.
Kjo është garancia që Partia Demokratike i ka dhënë garanci ndërkombëtarëve, përtej retorikave dhe shkresave të saj – shkruan Real Story.
Megjithëse selia blu nuk heq dorë nga mospranimi i zgjedhjeve dhe ka mobilizuar gjithë kryetarët e bashkive të tentojnë të pengojnë procesin zgjedhor, kreu i kësaj partie i ka siguruar ambasadorët Moyes dhe Soreca të martën në zyrën e tij që kjo parti nuk do të nxisë dhunën.
Nga ana tjetër, sipas një lajmi të realstory.al referuar burimeve diplomatike, ambasadorët i kanë kërkuar kryeministrit Rama që të mos ketë festë e fishekzjarrë të dielën dhe të hënën.
Ambasadorët kanë shkuar te Rama e Basha pas takimit që u mbajt në orën 8:00 të mëngjesit të së martës.
Ambasadorët e BE, OSBE, Italisë, Gjermanisë dhe Britanisë, janë takuar për më shumë se një orë në zyrën e ambasadorit britanik në Rrugën e Ambasadave.
Takimi, sipas burimeve, do të prodhojë një deklaratë të përbashkët, ku do t’i kërkohet palëve të sigurojnë zgjedhje të qeta në 30 qershor, një mesazh ky direkt për Bashën si dhe në funksion të paqes dhe qetësisë; jo festë e fishekzjarre nga pala tjetër, një mesazh ky për Ramën.
Sipas burimeve diplomatike, i vetmi qëndrim “ndryshe” ka qenë ai i Britanisë, i cili ka “kërcënuar” të tërheqë vëzhguesit britanikë nga veriu i vendit, nëse nuk garantohet siguria e tyre.
Soreca më pas është bashkuar me zonjën Moyes, pasi SHBA nuk i është bashkuar tryezës së diplomatëve. Arsyeja është se qëndrimi i tyre ka qenë i qartë: për të mos pasur negociata, pa pasur një proces pa dhunë e incidente në 30 qershor.
Në vijim, Soreca dhe Moyes i janë drejtuar zyrave të Bashës e Ramës. Sipas burimeve, Basha i ka siguruar ambasadorët se e ka marrë mesazhin e qartë dhe se dhuna verbale e 24 orëve të fundit është “për të mos humbur entuziazmin e bazës”, e cila mund ta interpretojë si humbje, mbajtjen e zgjedhjeve nga të cilat u vetëpërjashtuan e që po mbahen me Ramën (akoma) kryeministër.
Por duket se shpresat për një dialog politik pas një 30 qershori të qetë, pa incidente e festa, janë shtuar. Ambasadorët kanë diskutuar sërish mundësinë e ardhjes pas zgjedhjeve të një të Dërguari të Posaçëm, i cili të nisë ndërmjetësinë mes palëve.
Momenti më delikat është ai i një takimi Basha-Rama, pas refuzimit të prerë të kreut të PD për të bërë një gjë të tillë, për sa kohë Rama vazhdon të jetë kryeministër. Por duket se edhe këtu është gjetur një dakordësi “teknike”.
Fillimisht do të realizohet takimi i Bashës me një politikan socialist të “pranueshëm” për të, e më pas edhe takimi me Ramën.
Nuk është sekret se Basha ka një farë miqësie me Pandeli Majkon, me të cilin është takuar edhe në 2017, gjatë periudhës së çadrës në Rogner. A thua dhe pajtimi do kalojë sërish mes duarve të tij?
Rëndësi ka që pavarësisht çfarë thuhet e shkruhet, palët do përpiqen të sillen mire dhe urtë në 30 qershor, një datë që është e rëndësishme më shumë për ndërkombëtarët, sesa ata vetë. Puna më e madhe i mbetet Bashës, të cilit përveçse me të vërtetën si zakonisht, i duhet të përballet dhe me linjën e ashpër brenda PD, të përfaqësuar nga Berisha e që ka jo pak mbështetje.
Burime diplomatike të konfirmuara edhe nga brenda PD, flasin se Basha e Berisha nuk përjetojnë ditët më të mira mes tyre. 30 qershori ndoshta do të jetë provë edhe për këtë: nëse Basha e ka apo jo në kontroll Partinë.
Nëse s’ka incidente i bie që meqë s’mundi Ramën, së paku të mundë Berishën dhe tu tregojë ndërkombëtarëve se e “vrau” babën e vet.
Nëse në 30 qershor në PD triumfon linja e dhunës dhe e forcës, atëherë Lulzim Bashën nuk ka askush që ta shpëtojë. As Berisha, as ndërkombëtarët dhe as Rama vetë – shkruan portali në fjalë
Veritas.com.al/