Instituti i Gjeoshkencave ka paralajmëruar për përmbytje që mund të shkaktohen si pasojë e reshjeve të shumta që priten të përfshijë Shqipërinë gjatë ditës së sotme dhe të nesërme. Në njoftimin e publikuar, Instituti bën me dije se si pasojë e reshjeve të shiut mund të ketë vërshime të lumenjve dhe rrëshqitje të dherave në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër dhe Lezhë.
“Gjatë pasdites së sotme (e hënë, dt.16) dhe gjatë ditës së nesërme (e martë, dt.17) do të ketë reshje me intensitet të lartë, të cilat do të jenë më të përqëndruara në veri të territorit. Në fund të ditës së nesërme reshjet intensive pritet të shtrihen në të gjithë territorin. Në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër dhe Lezhë mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjëve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve. Ndërkohë, pritet një rritje e prurjeve të lumenjve kryesore, veçanërisht në lumenjtë Drin-Buna dhe liqenin e Shkodrës”-thuhet në njoftimin e publikuar.
Ditën e sotme dhe të nesërmen priten reshje shumë intensive të shiut në qarqet e Shkodrës, Kukësit, ndërsa më pak intensive në Dibër dhe Lezhë. Ndërkohë në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër reshjet priten të shoqërohen edhe me shtrëngata.