Nga: L. Skiroi/ Veritas/

Në kulmin e lavdërimeve, të vet-lavdërimeve dhe qortimeve të forta mbi NATO-në në botë, vjen një “luftë” mes anëtarëve të Paktit të Atlantikut, që kërcënojnë njëra tjetrën. Turqia, Greqia, Shqipëria, të tre shtete anëtare të NATO-s kanë hyrë në një qerthull absurd dhe kërcënojnë me armë.

I pari ishte Ministri i Mbrojtjes i Greqisë, i cili deklaroi se “ne, grekët kemi kapacitete ushtarake sa të mbrojmë veten”. Por i tha këto fjalë duke iu referuar Turqisë e Shqipërisë.

Pas kësaj, menjëherë Turqia e gjeti rastin të tregojë “dhëmbët” pas grushtit të shtetit të sajuar me 15 korrik të këtij viti. Gjeti rastin të deklarojë se me gjithë sulmin e armikut të brendshëm, ushtria e Turqisë “është e fortë dhe ia del mbanë me këdo”.

Shqipëria nuk u përmend dy a tre ditë. Mediat dhe një pjesë e politikës, mbetur në boshllëk për lajme, iu kthyen ministrisë së Mbrojtjes dhe e ngacmonin: “Hë, më, ua kaloi edhe Turqia?! Do të reagoni ju apo jo!?”

Më në fund reagoi sot ministri i Mbrojtjes, zonja Mimi Kodheli.

Fjala më e rëndë që prori Kodheli ishte kjo: “Ej, ka ikur koha e satrapëve!” Me siguri ka pasur në mendje diktatorin komunist Hoxha. Por në kohën e Hoxhës nuk lejohej të kishe simpati për NATO-n. Kodheli ka thënë këto fjalë të rënda, përsëri për diktatorin e vendit të vet. Po për ata “përballë në luftë”?

Edhe për ata kishte një mesazh, dhe ja cilin:

“NATO u krijua për të bashkuar vendet demokratike të hemisferës veriore përballë çdo rreziku totalitar. Por sot e kam të vështirë të kuptoj pse ndonjë politikan në Ballkan vesh uniformë ushtarake dhe përpiqet të ngrejë fantazma të së shkuarës. Kanë ikur kohët e satrapëve”.

Besoj se është një detaj shumë i vlefshëm i luftës ky fakt: Kodheli dhe homologët e saj, turku dhe greku, që të tre kanë komunikuar përmes Facebook-ut. Tani lufta është aq e pambuktë saqë përcillet përmes eterit, në facebook.

Në një film artistik të realizmit socialist kushtuar “luftës” sonë ndaj Bashkimit Sovjetik në Orikum, me titull: “Ballë për ballë”, me skenar të Kadaresë, njeri nga personazhet i thotë tjetrit: “Nuk është telefoni për luftë, o trim. Telefoni është vetëm për dashuri”.

Telefoni atëherë ishte facebook-u i tanishëm.

/Veritas.com.al/