Sezoni turistik ka nisur dhe qytetarët për t’i shpëtuar temperaturave të larta të kësaj vere kanë vijuar edhe gjatë ditëve të javës të bëjnë plazh.
“Jemi pensionistë dhe nuk e përballojmë dot. Ne s’mund të paguajmë sa është çadra dhe rrimë këtu. E di që është plazh publik, po skemi forcë të ngremë zërin. Këtu shoqëri civile s’ka”, tha pushuesi.
“E blemë shtëpinë në bregdet për të jetuar më mirë e mbi të gjitha për të bërë plazh. Tani s’kemi ku ta bëjmë. Ja, këtu te shkallët.”
“Ne vijmë në plazh 100 ditë, I thonë 50 mijë lekë, 5 muaj pension. 5 muaj do të rrimë pa bukë ne?!”
“Po te shkallët, te shkallët të gjithë durrsakët këtu po rrinë.”
“Ja që ai i ka vënë çadrat dhe s’na ka pyetur ne që lahemi këtu.”
Ne iu drejtuam Bashkisë së Durrësit e cila na tha se policia bashkiake do të ndërhyjë. Kanë kaluar disa ditë dhe plazhi privat vazhdon të zaptojë plazhin publik dhe të drejtën e qytetarit për ta shfrytëzuar atë.
“Pamë një ditë polici, po njeri nuk ka heq gjë. – Filluan të bëhen telefonata. Jo e ka fajin ky, jo e ka bërë online, jo po kështu.”
“Bashkia thotë është plazh publik?! Pse publik quhet një plazh me çadra ku njerëzit paguajnë lekë?! Është zaptuar me dhunë dhe nga bregu i detit deri 6 metra duhet të jetë i lirë si në të gjithë botën.”
Në hartën e plazheve të Durrësit, hapësirat për plazhe publike janë të shënjuara me ngjyrën jeshile, por në realitet, ne zonat më të frekuentuara të bregdetit ato janë zaptuar nga subjektet private. Në to mungojnë ose janë hequr edhe tabelat orientuese për pushuesit. Në Durrës janë 243 subjekte që, pas aplikimit në e-Albania, kanë marrë leje për shfrytëzimin e plazheve dhe ofruar shërbim.
Me poshtë në hartën e plazheve të Durrësit e vënë në dispozicion nga Bashkia është pjesa me jeshile pranë Sfinksit që tregon se kjo hapësirë është plazh publik.