Frrok Çupi

Në fillim desha të përdor fjalën ‘rrethanat’, por më duket se fjala ‘rrethinat’ i rri më mirë.

Cili është grushti? Ky është në qendër të rrethanave dhe rrethinave.

Rrethinat u provuan ditën e shtune në mbrëmje vonë. Gjykata Kushtetuese votoi për rrëzimin e Qeverisë dhe të Parlamentit, duke votuar për izolimin e nën kryeministres. Nuk kishte mjete ligjore, por e bëri me dhunë. Dhuna është e dyfishtë: Nga poshtë ku vetëm një prokuror urdhëron të ‘shkrihet’ qeveria; dhe, nga lart ku Gjykata Kushtetuese vendoset në tapet katër me katër. Si asnjëherë tjetër në botë.

Efekti vinte nga jashtë, pa dyshim.

Në media po shprehet çudia se si një nga anëtarët, i radhëve të vjetra komuniste, votoi kundër qeverisë socialiste. Arsyetim në mjegullën e vjetër. Grushti nuk ndodh për shkak të ideologjive, aq më pak për shkak të perëndive të vjetra. Ka interesa dhe lidhje të forta.

Kemi kaq kohë që kemi lënë litarin përjashta. E ka lënë gjyqësori enkas për këtë ditë: Financat e pamata të ish presidentet që ka bërë grushte edhe më parë. Financat po zgjaten deri në Amerikë, askush nuk vepron.

Është serioze, nuk është një fjalë goje. Këta janë bërë gati të kapin kreun e qeverisë përmes një prokurori dhe shumë financave.

Ose edhe nga jashtë, agjenturat e huaja. Ja kështu, në heshtje ndodhi, edhe shkatërrimi i ekonomisë së vendit në fillim të ‘demokracisë’. Piramida e PD lëvizte furishëm me dy gishta në mitingje, teksa në heshtje digjeshin uzinat, fabrikat, fermat dhe shkollat.

Në fakt ai ishte grushti i parë.

Pse tani grushti i tretë? Ndoshta është i katërti, nëse llogarisim edhe tentativën për ndarjen e vendit në lumin Mat, 1997.

Ky i treti është njësoj si ata që kaluan, sidomos me të parin. Tani ndodhemi në dyer të Evropës, edhe për pak bëhemi anëtarë. Kur të ndodhë kjo, dmth., tani afër, bien të gjitha projektet e ligësisë kundër Shqipërisë; edhe të mizerabilitetit të disa shqiptarëve.

Kryeministri i Shqipërisë sot niset për në Bruksel për një hap tjetër. Pas dhjetë ditë, do të jetë në Uashington, në krah të presidentit amerikan, për projektin më të madh të paqes në botë. Shqipëria do të nënshkruajë fatet e mëdha të botës dhe të sigurisë së saj.

Grushti tenton t’i anulojë këto projekte.

Tani është pikërisht koha për grusht, ndryshe e humbën davanë. E humbin përgjithnjë. Është edhe akt i natyrshëm për shqiptarët armiq të Shqipërisë. Po s’u bë tani grushti, atëherë nuk bëhet dot më kurrë. Se Shqipëria bëhet jo më e fortë, por e pacenueshme.

Po të mos kishte përparuar kaq shumë Shqipëria, grushti nuk do të kishte vend. Kjo është rrethana, ose rrethina. Do të ishim të gjithë në grusht. Përparimi rrethohet, jo rrethimi përparon. Kjo është ligjësi që e kemi provuar.

Këtej u nisën që ndërtuan këtë grusht.

Njërën pjesë të Drejtësisë e lëshuan nga grazhdi në sulm për të çakorduar shtetin. Pjesën tjetër të Drejtësisë e sulmuan përmes presidentit të pandehur dhe silogjeve greke që na kishin vrarë ushtarakë në kufi. Ia kishin marrë dorën që nga vitet ’90.

Një grup nga të grushtit kanë shkuar deri në Bruksel, ku lëshonin fyerje për Shqipërinë, kinse dobësonin shtetin. Të tjerë thonë se do të mblidhen në bulevardin e Tiranës për ‘të rrëzuar qeverinë’, por në fakt e kanë ‘për gjasme’. Qëllimi është të bëhet zhurmë në bulevard, po diku tjetër dhe nga një dorë tjetër të goditet. Edhe fjalorin e kanë si kamikazë, ‘rrëzoj’.

E kemi lënë litarin përjashta.

Nuk është gjë pa gjë. Këta janë veçse shërbëtorë të një projekti të të tjerëve. S’e kishin parë kurrë kaq mirë Shqipërinë. Tani është pikërisht koha për grushtin; kjo është rrethana dhe rrethina.

 

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *