Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një deklaratë nga selia e Partisë Socialiste, ka mohuar kategorikisht lajmin se në vendin tonë do të ketë një kamp për refugjatët që vijnë nga Mbretëria e Bashkuar.

“Shqipëria nuk do të jetë kurrë një vend, ku vende shumë të pasura do të krijojnë kampe për refugjatët e tyre. Asnjëherë!”, tha Rama.

Deklarata e tij erdhi pak para mbledhjes me krerët e degëve të PS-së.

Reagimi i tij vjen, pasi, të enjten e 18 nëntorit, mediat britanike kishin sërish në ballinë lajmin se “Shqipëria do të presë refugjatët të ardhur në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla”.

Media prestigjioze, si “The Times”, “The Guardian” dhe “The Sun”, shkruanin se Qeveria britanike po kryen bisedime të fshehta me atë shqiptare.

Madje ato bënë me dije edhe planin e pritjes, ku çdo emigrant, që vjen ilegalisht në Britani nëpërmjet varkave të vogla, do të dërgohet në Shqipëri brenda shtatë ditëve dhe kjo do t’i kushtojë 100 mijë paund çdo azilkërkuesi.

Nga ana tjetër, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Olta Xhaçka, i ka hedhur sërish poshtë këto lajme.

“I njëjti lajm i rremë i vjetër këtë herë në faqen e parë të një gazete të respektuar si ‘The Times’!”, shkruan ajo në median sociale Twitter.

 

Image

Mediat britanike shkruajnë të bindura se ky kamp do të ndërtohet, pasi ato kanë komunikuar me zyrtarë më të lartë të Qeverisë Britanike, duke përmendur këtu zëvendëskryeministrin Dominic Raab.

Duket se saga e ndërtimit të një kampi do të vijojë më gjatë.

Vetëm disa muaj më parë, “The Sun” do të shkruante të njëjtën gjë, të cilën Xhaçka dhe kabineti qeveritar do ta mohonte kategorikisht.

Duket si një lajm, i paralajmëruar që në vitin 2003, kur media shtetërore britanike, “BBC”, do të shkruante një artikull mbi financimin dhe ngritjen e një kampi azilantësh në Ballkan, asokohe në Kroaci.

Kjo për të pritur të gjithë emigrantët e jashtëligjshëm që kalonin detin për nga shteti ishullor evropian, Britania e Madhe.

Po në atë datë, gjiganti mediatik britanik, “The Guardian” do të pasqyronte në botë planin sekret të anglezëve, të cilët e kishin ngritur tashmë kampin në vendin verior ballkanik.

Gjithë ky zhvillim ndodhte një dekadë përpara aderimit të Kroacisë në Bashkimin Evropian!

“BBC-ja” e shkruante shkurtimisht, por qartësisht: Kampe azilantësh si ai në Kroaci, mund të ngrihen në shtete, si: Rusia, Bjellorusia, Rumania, Bullgaria, Ukraina dhe në fund, Shqipëria.

Mirëpo, fakti është se, kroatët e refuzuan idenë e bisedimeve për një kamp të tillë.

Kjo tashmë është një bisedë që rikthehet thuajse dy dekada më pas, pavarësisht faktit se ka mohimin absolut të Qeverisë shqiptare mbi çështjen.

Situata në Mbretërinë e Bashkuar

Britania nuk ka qenë në gjendje të bindë Francën të marrë emigrantët, që kanë kaluar Kanalin dhe gjithashtu ka refuzuar kërkesat britanike për të vendosur patrulla të përbashkëta.

“Nëse Britania e bind një shtet për të realizuar një marrëveshje, do të varej nga sa është e gatshme të paguajë. Shqipëria, të paktën, duket se është e gatshme të negociojë”, finalizohet artikulli nga “The Times”.