Konflikti i armatosur në Ukrainë do të japë efekte edhe në ecurinë ekonomike të Shqipërisë. Pas FMN, BERZH, KE dhe Institutit të Vjenës, në raportin e publikuar sot Banka Botërore thotë se pasiguria në lidhje me luftën do ngadalësojë ekonominë e Shqipërisë. Rritja ekonomike për këtë vit sipas raportit do të zbresë në 3.2%, nga 8.5% që ishte rritja në vitin e kaluar.

“Pasiguria në lidhje me luftën në Ukrainë po ndikon në stabilitetin e çmimeve dhe rritjen ekonomike, ritmi i së cilës pritet të ngadalësohet në 3.2 për qind në vitin 2022 nëse faza kritike e krizës arrin të qetësohet në tremujorin e dytë të vitit”, vlerëson Banka Botërore.

Ekspertët e Bankës Botërore vlerësojnë se çmimet do të vazhdojnë të rriten në rast se lufta vijon, ndërsa paraprakisht parashikohet se inflacioni do të jetë 5%.

“Kriza në Ukrainë, në rast se zgjat, mund të ndikojë në ekonominë shqiptare nëpërmjet disa kanaleve të transmetimit. Çmimet e larta të mallrave, veçanërisht të naftës dhe drithërave, pritet të jenë kanali kryesor i transmetimit të goditjeve. Çmimet e larta të energjisë pritet të çojnë në rritje të çmimeve të transportit dhe të shkaktojnë rritje të mëtejshme të çmimeve tek mallrat e tjerë të shportës së konsumit. Inflacioni pritet të përshpejtohet në rreth 5 për qind në vitin 2022 krahasuar me parashikimin prej 3 për qind sipas skenarit të zhvilluar para konfliktit. Me rritjen e kostove të importit, deficiti i llogarisë korente ka të ngjarë të rritet në 9.6 për qind të PBB-së”, thuhet në raport.

Këto ccmime të larta sipas bankës do të reduktojnë konsumin e popullatës nga 4.5% në vitin e shkuar në 2% këtë vit.

“Duke qenë se çmimet e larta ndikojnë në rënien e fuqisë blerëse të familjeve dhe rritjen e kostove për bizneset, edhe parashikimet për rritjen ekonomike janë gjithashtu më të ulëta. Nëse rritja e çmimeve të energjisë reflektohet në rritje të çmimeve të importit të energjisë elektrike, kjo goditje mund të përkeqësojë situatën financiare të NSH-ve të energjisë elektrike. Kjo mund të rrisë rreziqet fiskale nga këto ndërmarrje”, vijon më tej raporti.

Kjo rritje e çmimeve dhe shtimi i kostove që ka ardhur si pasojë e luftës në Ukrainë, sipas ekspertëve të Bankës Botërore rrezikon të përkeqësoj edhe borxhin publik të vendit.

“Borxhi publik pritet të stabilizohet në 73.9 për qind të PBB-së në vitin 2022, përpara se të ulet gradualisht në periudhë afatmesme. Megjithatë, hapësira fiskale mund të përkeqësohet akoma më shumë sipas një skenari negativ, ku lufta vazhdon për një periudhë të zgjatur duke çuar në ngadalësim të mëtejshëm të rritjes ekonomike të BE-së dhe si rrjedhojë në rënie të eksporteve shqiptare drejt partnerëve më të rëndësishëm tregtarë në BE që përbëjnë 60 për qind të eksporteve të saj. Në këtë rast, qeverisë mund t’i duhet të shkurtojë shpenzimet kapitale për të parandaluar një rritje të raportit të borxhit ndaj PBB-së. Për më tepër, duke qenë se Shqipëria po mbështetet gjithnjë e më shumë në burimet e jashtme të financimit, rreziqet e kursit të këmbimit, normës së interesit dhe rifinancimit mbeten të larta. Një prioritet kyç i reformës afatmesme është nevoja për rritur mbledhjen e të ardhurave dhe për të realizuar konsolidimin fiskal, duke mundësuar në të njëjtën kohë kryerjen e shpenzimeve të konsiderueshme që forcojnë rritjen ekonomike”, thuhet ndër të tjera në raportin e BB.