13 vite më parë ndodhi tragjedia e Gërdecit. Një shpërthim i fuqishëm në fabrikën e demontimit të armëve mori jetën e 26 personave në mesin e tyre kishte burra, gra dhe fëmijë.
Sot pas 13 vitesh familjarët janë në kërkim të drejtësisë. Geraldo Durda, humbi të vëllanë në këtë ngjarje dhe për këtë vendosi të bëhej juristi e të kërkonte drejtësinë. Sot ai është avokat dhe thotë se drejtësia është e vonuar dhe se ish funksionarët e shtetit që duhet të mbanin përgjegjësi janë ende pjese e listës së zgjedhjet të 25 prillit.
Sipas tij, Fatmir Mediu ish ministri i mbrojtjes që ka firmën e tij në atë që ndodhi në Gërdec, nuk duhet të jetë listën e kandidatëve për deputetë.
Zamira Durda, humbi djalin e vogël në shpërthimin tragjik. Mbi trupin e djegur të djalit ajo ka bërë një zotim. Fajtorët do të gjenden. Ajo ka përgatitur dhe ka paditur në SPAK Fatmir Mediun dhe shumë emra të tjerë të lidhur me ngjarjen.
Të gjithë familjarët me tufa lulesh në dorë përballë lapidarit ku janë shënuar emrat e viktimave të Gerdecit, pas 13 vitesh vazhdojnë të kërkojnë drejtësi.
Vendimi i Gjykatës së Tiranës që ai shpërthim ishte një gabim teknologjik për ta është i papranueshëm. Por më herët drejtësia mbylli sytë para fakteve që implikonin në këtë tragjedi, djalin e ish kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha, por edhe shumë emra të tjerë.