Në Podcast-in e kësaj të shtune të kryeministrit Rama në Facebook ishte sopranoja shqiptare nga Mitrovica Elbenita Kajtazi. E pagëzuar si “Hirushja nga Mitrovica”, sopranoja ka rrëfyer fillimet e karrierës së saj, jetën personale dhe komunikimin me Ermonela Jahon, që i hapi dritën jeshile pjesëmarrjes së saj në skenat botërore.

Ajo studioi në Akademinë e Muzikës të Mitrovicës dhe u diplomua në Universitetin e Prishtinës, duke bërë debutimin e saj me Orkestrën Filarmonike të Kosovës në vitin 2009, duke kënduar shumë koncerte gjatë gjithë sezonit. Por kjo nuk e përmbushi Elbetinën e cila falë vullnetit të nënës së saj gjeti guximin t’i shkruajë Ermonela Jahos.

“Një mesazh i Ermonëls më dha dritë në fund të tunelit. Isha në një pozitë jo të mirë në psiqikën time dhe i thashë nënës kam vendosur të tërhiqem. Nëna më tha që nuk ka shans të tërhiqesh ke bërë gjithë këto mundime. Arritja në Filarmoninë e Kosovës nuk më dukej e bollshme. Në atë moment ka qenë Ermonela në televizor po jepte një intervistë në Londër kur jepte Traviatën dhe i shkruajta në Facebook. Për mua ka qenë një moment i lumtur dhe emocionues kur Ermonela më ktheu përgjigje që; mos hiq dore se ke kapacitet dhe mund të flasim. Pata fatin që pas një muaji ajo erdhi në Kosovë dhe u takuam dhe më dha shpresë mos me u tërheq”.

Gjatë bisedës ajo rrëfeu se kur ka qenë e vogël në Mitrovicë ka shitur qumësht para dhe pas luftës dhe për këtë ndjehet krenare.

“Kam shitur qumësht me shumë sukses si fëmijë. Kemi pasur familje shumë të madhe. Në atë koha Mitrovica nuk ka qenë kaq e ndërtuar, kemi pas mundësi me mbajt lopët brenda oborrit, kam shitur qumësht para dhe pas luftë, meqë i gjetëm lopët. Gjyshja i kishte vënë një pe të kuq lopës që nëse ktheheshim pas luftës ta gjenim. Ne kemi punuar çfarëdo punë kemi rindërtuar bashkë dhe jam shumë krenare për atë pjesë të jetës sime”. Elbenita Kajtazi ka fituar disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare.