sh-presidenti francez, Nicolas Sarkozy, u dënua të enjten e 30 shtatorit me një vit burg.

Kjo për financimin e paligjshëm të fushatës në vitin 2012, duke e bërë atë kreun e parë të shtetit francez në kohët moderne që merr dy dënime me burg.

Gjykatësi tha se, Sarkozy mund ta vuante dënimin  në arrest shtëpie.

Të 13 të bashkëpandehurit në çështje u shpallën fajtorë.

“Nicolas Sarkozy e dinte kufirin e shpenzimeve, ai e dinte se nuk duhet ta tejkalonte atë”, tha gjykatësi.

Kjo është çështja e dytë penale që përfshin Sarkozy-n.

Drejtësia dyshon se Bashkimi për një Lëvizje Popullore (UMP, ish-partia e  Sarkozy, tani Partia Republikane) dhe agjencia e komunikimit Bygmalion, kanë krijuar fatura false gjatë fushatës presidenciale të vitit 2012. Sarkozy akuzohet se ka fshehur tejkalimin masiv të të ardhurave.

Në mars të këtij viti ai u dënua me tre vjet burg – dy prej të cilave u pezulluan – me akuzën e korrupsionit.

66-vjeçari ka apeluar dënimin e marsit.

Drejtësia e akuzoi Sarkozy-në se u përpoq të merrte disa informacione sekrete nga magjistrati i Gjykatës së Kasacionit, Gilbert Azibert.

Këto informacione sekrete lidheshin me një tjetër çështje që ka lidhje me të (çështja “Bettencourt”).

Në këmbim të informacioneve, thuhet se Sarkozy ka premtuar se do të ndërhyjë, në mënyrë që magjistrati të marrë një post prestigjioz në Monako.

Akuzat erdhën pas përgjimeve të Sarkozy-së dhe avokatit të tij në një linjë telefonike jozyrtare. Të dy telefonat e përdorur ishin parapaguar dhe të blerë me emrin “Paul Bismuth”.