Koment nga Veritas/

Timoni u kthye në një lloj ‘logoje’ të qeverisë menjëherë pasi kryeministri Rama e kërkoi “të gjithin për vete” gjatë fushatës elektorale që u mbyll në 25 qershor. ‘Timoni’ për Patinë Socialiste rezultoi i vërtetë, ajo fitoi maxhorancë të pastër parlamentare me 74 deputetë, me të cilën mund t qeverisë e vetme.

Që nga data 9 shtator kur u mblodh për herë të parë seanca plenare e Kuvendit nga ku doli edhe qeveria, dhe deri më sot, ka kaluar vetëm një muaj. Por pesha e timonit po ndjehet ‘bajagi’ në duar të kryeministrit Rama.

Mbledhja sot që në mëngjes e grupit parlamentar dhe e qeverisë (pak më vonë) duket se është afër kushteve të emergjencës. Edhe pak ditë më parë në konferencën e Asamblesë së përgjithshme të PS ka manifestuar tension përballë ‘papastërtisë’ së shoqërisë që nënkupton korrupsionin, krimin, por edhe ambientin.

Sot në mbledhjen e grupit parlamentar ka nënvizuar se ‘kush kërkon mik për t’u punësuar në shtet” ka për të gjetur jo mikun, por belanë. Gjithashtu ka paralajmëruar se përsëri në mandatin e dytë shkarkimet e administratorëve që meritojnë të shkarkohen, do të kryhen ‘live’. Gje që dëshmon se drejtorë dhe nëpunës të tjerë të administratës do të shkarkohen nga detyra edhe me një vendim të momentit nga kryeministri ose nga ministrat.

Në atmosferën e këtyre ngjarjeve nuk është aspak e vështirë që të ‘nuhatet’ se kur rëndesa e timonit bie vetëm në një pikë, atëherë peshon më shumë. Tani timoni peshon vetëm në një dorë.

Gjatë mandatit të kaluar pesha ishte e shpërndarë sa në PS edhe në LSI, në PDIU dhe njëfarë kohe edhe në PBDNJ.

Por kryeministri  Rama sot sulmoi përfaqësuesit e PDIU në Drejtorinë Kombëtare të Ushqimit, duke u shprehur me tone shumë të forta negative për punonjësit e saj. Me këtë rast u kuptua se edhe me ‘timonin në disa duar’ kryeministri nuk do të ishte i kënaqur.

Por në rastin konkret, ndjehet se veprimet korruptive, shërbimi i keq në administratë, vjedhjet dhe abuzimet, do të rëndojnë direkt ‘timonierin’ e vetëm. Nuk ka më justifikime se ‘kjo ministri i përket’ LSI, PDIU apo një tjetri.

E gjita peshon në qeverinë dhe maxhorancën socialiste.

Veritas.com.al/