Durrësi dhe Vlora janë përfshirë nga moti i keq këtë mëngjes. Era e fortë ka sjellë pezullimin e lundrimit deri të dielën. Në Vlorë tragetet janë me vonesë, ndërsa në Durrës kanë mbërritur në orar.

Që gjatë natës janë përmbytur rrugë, banesa dhe biznese në Lezhë dhe në Laç.

Mëngjesi me shira dhe erë ka rritur sipërfaqen e ‘pushtetit’ të motit duke përfshirë edhe qytetet bregdetare dhe portet.

Era e fortë që ka përfshirë Gjirin e Durrësit ka mbajtur mbërthyer në kalatat e portit detar të gjitha anijet e tonazhit të vogël e të mesëm. Edhe anijet e peshkimit kanë pezulluar lundrimet dhe gjuetinë në det deri të dielën, kur era, që aktualisht regjistron shpejtësinë mbi 20 metra/sek në port, pritet të ndryshojë drejtim e të kthehet drejt veriut.

Kapiteneria ka lajmëruar të gjithë subjektet dhe ekuipazhet e anijeve të forcojnë masat e sigurisë për të shmangur incidentet e mundshme në këto kushte. Megjithëse deti shënon forcën 8 ballë, të tre tragetet e linjës Bari-Durrës me 1100 udhëtarë në bord mbërritën në mëngjes pa vonesa.

Teksa viti 2017 po mbetet në ditët e fundit , agjencitë e lundrimit po përgatiten të shtojnë lëvizjet me tragete në dy anët e Adriatikut, për t’iu përgjigjur rritjes së numrit të udhëtarëve dhe automjeteve në prag të festave të fund-vitit. Si çdo fund-viti, edhe në këtë sezon parashikohet një rritje e ndjeshme e numrit të bashkatdhetarëve që preferojnë të udhëtojnë me tragete drejt Portit të Durrësit, për t’iu drejtuar më pas familjeve të tyre në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.

Moti i keq ka përfshirë edhe qytetin e Vlorës. Që prej mbrëmjes së djeshme dhe në orët e paradites erërat e fuqishme kanë bërë që transporti detar të pezullojë lundrimin. Trageti i linjës Vlorë-Brindizi, i cili duhet të kishte mbërritur gjatë orëve të paradites në Portin e Vlorës për shkak të erës së fortë që kishte një shpejtësi prej 15-20 m/sek, nuk ka mbërritur, ndërkohë që deti shënon forcën 7 ballë.

Kjo ka bërë që edhe mjetet e tjera lundruese të mos dalin në det për të shmangur rrezikun. Sipas kapitenerisë së Portit të Vlorës, moti do jetë në këto kushte deri në orët e mesditës, kur parashikohet të mbërrijë edhe trageti nga Brindizi.

Veritas.com.al/