(FOTO: Joshka Fisher, ish ministër i Punëve të Jashtme i Gjermanisë)/
Ish-ministri i Jashtëm gjerman Joschka Fischer, në një intervistë për “Corriere della Sera”, shprehet se zhvillimet politike që priten do të jenë shqetësuese. Dy vjet më parë, Joschka Fischer shkroi një libër me titullin apokaliptik: “Nëse Evropa do të dështonte?”.
Pyetje: Sot jemi më pranë apo më larg humnerës?
Nuk kemi qenë kurrë më pranë dështimit. Por mundësitë e vënies përsëri në ecje, janë më të mëdha se atëherë, nëse evropianët do të mbeten bashkë dhe do të hedhin një etapë të re të projektit të përbashkët. Në këtë kuptim jam i kënaqur, por vetëm pjesërisht.
A ka qenë zgjedhja e Trump-it për t’ju bërë të ndërroni mendim? Ju keni folur për rrezikun e “perëndimit të Perëndimit”.
Është e vërtetë por nuk nënkuptoja Perëndimin e lindur në Mesdhe. Bëja fjalë për Perëndimin, botën transatlantike të ngritur mbas Luftës së Dytë Botërore e thyerjes së nazizmit, të themeluar mbi lidhjen mes Amerikës, Evropës perëndimore dhe Kanadasë dhe mbi garancinë e sigurisë së dhënë aleatëve nga SHBA Donald Trump, me moton e tij America First shënon konkretisht heqjen dorë dhe shkatërrimin e mundshëm të asaj bote: vë në diskutim NATO-n, i kthen shpinën tregtisë së lirë, gërryen, me fjalë të tjera, dy shtyllat e rendit global që kemi njohur. Nëse kjo do të ndodhte, pasojat do të ishin tepër të rënda për Evropën.
Ku qëndrojnë mundësitë?
Përballë kësaj perspektive Evropa, më së fundi, mund të bëhet e pjekur. Por duhet të rritemi pa rënë në kundëramerikanizëm.
A janë “shpejtësitë e ndryshme”, për të cilat flet kancelarja Merkel, rruga për t’u ndjekur?
Shpejtësitë e ndryshme janë realiteti. Do të ndihesha më mirë sikur të dija se më 7 maj në Francë nuk do të zgjidhej Marine le Pen. Nëse kjo do të ndodhte do të ishte fundi i BE dhe i euros, me pasoja dramatike botërore. Por kam besim se nuk do të ngjajë e që, mbas zgjedhjeve gjermane në shtator, mund të hapet një dritare mundësie për të ripërcaktuar projektin evropian.
Në çfarë mënyre?
Sigurisht Eurogrupi do të jetë shtylla mbajtëse. Gjermania duhet të lëvizë, por duhet ta bëjnë edhe të tjerët. Duhet të bëjmë më shumë për sigurinë, jo vetëm ushtarakisht, por edhe me një politikë të jashtme të përbashkët në Mesdhe, ku nuk mund t’i ngarkojmë më Shteteve të Bashkuara interesat tanë. Më së fundi duhet të marrim seriozisht mbrojtjen e përbashkët, bashkëpunimin kundër terrorizmit, duke u mbështetur mbi përvojën e shumë anëtarëve. Italia, për shembull, që mund të besojë mbi pasurinë e luftës kundër mafies.
Mbrojtja evropiane a do të ishte alternative ndaj NATO-s?
Diskutim akademik. Duhet të ruajmë të gjithë atë që kemi. Por, në të njëjtën kohë, të ndërtojmë opsione të tjera në mënyrë që, nëse të tjerë do të tërhiqeshin mbrapa, të mos mbetemi të pambrojtur. Nuk ka nevojë të quhet ushtri evropiane, por një bashkëpunim më i fuqishëm sa i përket armatimeve, forcave të veçanta, transporteve, komunikacioneve, është i mundshëm dhe i nevojshëm. Nëse do të fuqizojmë shtyllën evropiane edhe NATO do të jetë përforcuar.
Mund të bëhet kjo nëpërmjet pararojave?
Sigurisht, traktatet e Lisbonës e lejojnë. Është e qartë që kemi nevojë për një fillim të ri. Secili duhet të bëjë pjesën e tij: Gjermania duhet të bëjë më shumë në ekonomi, barazia e bilancit është një çuditëri, nuk i shërben askujt. Franca që ka status bërthamor, mund të bëjë më shumë në sigurinë. Italia, më së fundi, duhet të bëjë reformat e saj. Të gjithë ata që duan e munden duhet të mundohen të gjejnë një miratim të ri.
Por, siç thoni ju, gjithçka varet nga një përfundim zgjedhor i vetëm, ai francez. A nuk është një shenjë e brishtësisë së projektit evropian?
“Është ashtu. Evropa mund të shkojë përpara pa Britaninë e Madhe, shtoj, fatkeqësisht. Por nuk mund ta bëjë pa Gjermaninë, Francën dhe Italinë, kombet karolinge. I gjithë projekti evropian lindi nga kapërcimi i armiqësisë franko–gjermane. Pikërisht për këtë Italia u zotua që në fillim në këtë proces. Nëse bashkëpunimi ndërmjet Francës e Gjermanisë do të mbaronte, do të mbaronte edhe Evropa. Por roli i Italisë si faktor i tretë, është themelor.
A do ta ndjekë popullsia?
“Tashmë jemi brenda një thyerjeje historike. Politika duhet të ketë guximin t’i thotë popullsive se cilat janë pasojat e mundshme. Njerëzia nuk është e marrë, flasim për përgjigjet e nevojave të saj konkrete: siguri, mirëqenie, e ardhmja e fëmijëve. Nuk mund të mendojmë të ndahemi nga rendi liberal evropian pa paguar çmime tepër të larta në planin ekonomik e shoqëror. Sa më shumë që këto çështje të mëdha të vihen në qendër të politikave kombëtare, aq më pak do të futin frikën populistët, sepse nuk kanë asgjë për të ofruar. Loja është tmerrësisht e dëmshme për të gjithë.
Me “shpejtësitë e ndryshme” Gjermania kërkon një pararojë në shëmbëlltyrë të saj?
Gjermania nuk do një Evropë gjermanike. Nuk ka kuptim: perspektiva e Berlinit është sinonim i BE. Nëse Evropa do të mbetet e dobët, siç është tani, nuk do të ketë të ardhme. E vërteta është se një mirëkuptim me 27 është gjithnjë e më i vështirë. Prandaj është qenësore që zemra, pra Eurogrupi, të jetë i qëndrueshëm e të fuqizohet. Me monedhën e përbashkët kemi bërë një hap vendimtar drejt integrimit: tani bëhet fjalë për të kryer kërcimin e mëtejshëm, atë të bashkëpërgjegjësisë së rreziqeve. Por kjo nuk është Evropa gjermanike.
E quan ende Merkelin të domosdoshme për Evropën?
Po. Duhet të komunikojë në mënyrë të ndryshme, është e zonja.
Çfarë marrëdhëniesh duhet të kemi me Rusinë? Ju keni kritikuar hapjet kundrejt Putinit.
Të jetohet në kontinentin tonë do të thotë të bashkëjetohet me një fqinjë shumë kabà dhe këtë nuk mund ta ndryshojmë. Sa më e fortë të jetë Evropa, aq më të kollajshme do të jenë marrëdhëniet me Rusinë. Putini mendon “përça e sundo”. E kuptoj por na takon neve t’ia ndalojmë. Do të gabojmë nëse do të mendojmë se duke u bërë të vegjël do të kemi marrëdhënie paqësore me Moskën. Ndërsa duhet të bëjmë që të merremi me seriozitet në Moskë ashtu si edhe në Ëashington. Mbi konfliktet konkrete: sanksionet u miratuan mbas pushtimit të Krimesë dhe krizës në Ukrainë. Nëse Moska ndryshon qëndrim, nuk ka asnjë arsye për t’i mbajtur.
Emigracioni sjell para Evropës një problem identiteti. Si do të përballohet?
Jetojmë në një yllësi gjeopolitike shumë të vështirë: në Veri, ndryshimet klimatike shkrijnë kësulën arktike; në Lindje Rusia dhe në Jug-Lindje Turqia janë fqinjë shumë problematikë; në Jug mërgimtarët na vënë përpara një sfidë që nuk do të largohet e të cilën duhet ta pranojmë. Me një kontroll më të mirë të kufijve, por edhe me integrimin, me diplomacinë për të zgjidhur krizat, me marrëveshjet dhe investimet në Vendet e origjinës, si në Afrikën e Veriut, si në Afrikë. Por unë kam shqetësime serioze edhe për Ballkanin.
Në ç’ kuptim?
Mund të diskutojmë nëse Turqia i përket apo jo Evropës, por për Ballkanin përgjigja është afërmendsh. Deri sa premtimi që një ditë, secili që është ende jashtë, do futet në BE, do të mbetet i besueshëm, gjithçka do të mbetet paqësore. Por nëse një ditë nuk do të jetë më ashtu, do të gjendemi menjëherë para një situate shpërthyese, të dhunës e të luftës civile. (Nënvizimi i përkthyesit). Mos të harrojmë se vala e parë e madhe e të ikurve në Evropë nuk erdhi nga Lindja e Mesme, por nga Ballkani.