Sot u shfaq një hajdut që prishi gjithë lajmin ‘fjollë’ të policisë mbi rendin gjatë festave të vitit të ri. Hajduti u kap duke kryer vjedhje në një autobus në kryeqytet, dhe u arrestua nga Policia.

Me siguri, si për policinë edhe për hajdutin do të ishte më mirë sikur ky të arrestohej disa ditë pas vitit të ri, me qëllim që të mos prishej atmosfera e “krimit zero”. Mirëpo, me sa duket, hajduti ka menduar “drejt” se sot, ditën e 1Janarit, bereqeti i vjedhjes do të ishte më i majmë mbasi qytetarët në autobusë janë akoma nën efektin e alkoolit që kanë pirë një natë më parë në ndërrimin e viteve.

Personi i kapur në Tiranë duke vjedhur xhepat e pasagjerëve të autobusëve, njoftohet nga policia, se quhet Ervis Tako.

Më interesante është se siç duket, vjedhjen e kishte kthyer në biznes. Ai është banor i Durrësit, por vjen çdo ditë nga Durrësi në Tiranë për “punën” e tij në autobusët e kryeqytetit ku ka një popull “më të pasur” nga xhepat.

Tako, 33 vjeç u kap nga policia me provën se i ka vjedhur shtetasit A.M një shumë prej 40 mijë lekë.

Policia, pas arrestimit, ka rënë në gjurmë edhe të vjedhjeve të tjera të kryer nga ky person.

Sipas përllogaritjeve del se brenda shtatë muajsh, durrsaku Tako ka mbledhur (nuk po theemi vjedhur) 185 mijë lekë e 130 euro, nga biznesi i tij në autobusët e Tiranës.

/Veritas.com.al/