Sot, që më në fund u vendos të zhvlerësohen tre mandate të të zgjedhurve në majat e pushtetit, po sot u tha se “priten edhe njëzet të tjerë”. Që do të thotë se edhe njëzet funksionarë të tjerë shtëtrorë janë pikasur si të përzierë në krim.
Njëri nga këta “kriminelë” që u zhvlerësua sot nga KQZ, ka tre vjet që ndodhet në “tavë”. Elvis Roshin, kryetar Bashkie në Kavajë, edhe pse i denoncuar si i përzierë në trafik njerëzor dhe i burgosur në Itali me këtë akuzë, prej tre vjetësh u mbrojt nga kryeministri; madje edhe u rizgjodh nën kujdesin e tij. Kjo ndodhi në periudhën kur opozita dhe përfaqësues të aleatëve strategjikë, SHBA dhe BE, kërkuan që Elvis Roshi të mos qëndrojë në krye të Bashkisë Kavajë.
Por këmbëngulja e qeverisë ishte e frikshme.
Më në fund sot, KQZ edhe pse e “dashuruar” me Roshin, u detyrua t’i heqë mandatin si i zgjedhur për kryetar Bashkie.
KQZ-ja ka vendosur sot shpalljen të pavlefshëm dhe përfundimin e parakohshëm të mandatit, jo vetëm të kryebashkiakut të Kavajës Elvis Rroshi, por edhe të dy deputetëve: Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri. Anëtarët pranë PD në KQZ nuk votuan pro heqjes së mandatit të Dashamir Tahirit, ndërsa për dy të tjerët rezultati qe 7 me 0. Tre vendimet hyjnë në fuqi menjëherë sapo publikohen në Fletoren Zyrtare.
Vendimet janë lexuar para medias nga kryetari i KQZ-së, Denar Biba.
/Veritas.com.al/