Sa shumë njerëz po thonin se ‘u teprua’ me këto dorëheqjet kolektive të drejtorëve të institucioneve. Njerëzit po thonë: “Si nuk doli një burrë t’i thotë kryeministrit se ‘nuk dua të jap dorëheqjen’. Apo janë të gjithë fajtorë?!

Sot ka dalë një nga ministrat që ka thënë ‘jo’. Por edhe ky është ministër i opozitës në qeverinë e maxhorancës  absolute.

Ministri i Drejtësisë Gazment Bardhi ka pezulluar procedurat e miratimit të dorëheqjeve të regjistruesve të Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, dorëheqje që këta të fundit janë detyruar të japin pas ultimatumit të Kryeministrit Edi Rama.

Bardhi ka urdhëruar ZQRPP, që nën mbikëqyrjen e inspektorëve të Ministrisë së Drejtësisë, të ushtrojnë kontroll dhe inspektim të punës së Regjistruesve në 6 muajt e fundit, dhe të evidentojnë të gjitha shkeljet e kryera prej tyre, pasi ministri ka gjykuar se zyrtarët publikë që shkelin ligjin dhe të drejtat e qytetarëve, duhet të largohen me masë disiplinore “shkarkim nga detyra” dhe jo me dorëheqje.

Ministri e Drejtësisë njoftoi se ministri Bardhi është njohur sot me kërkesën për dorëheqje të Regjistruesve të Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Tiranës,Vlorës, Kukës, Dibër, Elbasan, Tropojë, Has, Mat, Kuçovë, Bulqizë, Lezhë, Kurbin, etj.

Ministri Bardhi, ka urdhëruar Zyrën Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, që nën mbikëqyrjen e inspektorëve të Ministrisë së Drejtësisë, të ngrejë 3 grupe kontrolli, me qëllim inspektimin e veprimtarisë së Regjistruesve në ZVRPP përkatëse.

Një ministër i vetëm kërkon të verifikohet përgjegjësia individuale e secilit funksionar.

Veritas.com.al/