Do të ishte një tmerr i vërtetë sikur të kishte ndodhur ajo çfarë u projektua që në majë të palmës së tharë. Fëmija 6 vjeç ndodhej pikërisht aty ku do të binte dega e rëndë. Por fati e deshi që dega preku vetëm një krah të fëmijës, për punë centimetrash. Prandaj mund të thuash se ‘palma ishte zemërmirë’ që fali vogëlushin.

Mediat kanë shkruar sot për një tragjedi të kapërcyer në Vlorë për shkak të rënies së palmave të rrugës, të cilat janë tharë dhe tani të kalbura bien përtokë.

Palmat janë mbjellë këto vitet e fundit, si në anë të rrugëve të qytetit të Vlorës, ashtu edhe në disa qytete të tjerë. Bima dekorative ka dështuar thuajse kudo ku është mbjellë, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm shumë të madh, por ende të pallogaritur. Blerja me fondet publike dhe tharja e palmave, janë bërë objekt debatesh në politikë e në media prej një kohe të gjatë.

Tani ato janë kthyer në një rrezik për jetën e kalimtarëve.

Ajo çfarë ndodhi në Vlorë, ku nuk ka emër të fëmijës që shpëtoi për mrekulli, veçse foto të palmave të rrëzuara, megjithatë është një sinjal se palmat e thara, të paktën , duhen pastruar nga vendet ku paraqesin rrezik.

Veritas.com.al/