Nga Frrok ÇUPI

A mendoni se po duket përsëri zgjimi i kësaj ideje mbi qiellin tonë?…

Rreth idesë së qeverisë globale, një nga idetë më të vjetra të njerëzimit dhe filozofëve të mëdhenj, këtu mes 3 a 4 milionë banorëve të Shqipërisë, shihet përmes dy vizioneve:
Vizioni i parë vjen prej të munduarve, ose të qeverisurve, nëse mund të themi kështu.
Këta, edhe pse nuk e njohin teorinë e qeverisë globale, shpesh herë iu ndizet dëshira për një qeveri të tillë në Shqipëri. Këta janë të lodhur e të raskapitur me qeverinë e tyre. Këta e shikojnë veten të pamundur që të ndryshojnë gjë prej të keqes qeverisëse që i ka zënë. Këta i shikojnë qeveritarët tek i vjedhin, i plaçkisin, i fyejnë, i marrin për të marrë, iu blejnë votën, i mashtrojnë dhe më në fund i lënë në humnerë. Kur e shikonj veten të pamundur tërësisht, atëherë iu shkon mendja “ah sikur të kishim një qeveri të jashmte, ndërkombëtare”. Edhe kur nuk e thonë mot a mot kështu, shpresojnë se fuqitë perëndimore do të mund tua ndryshojnë fatintë munduarve në Shqipëri. Kjo ndjesi zgjohet sa herë vijnë të deleguar apo edhe mesazhe të forta prej Bashkimit Europian ose prej Shteteve të Bashkuara.

Siç edhe po shkojnë e vijnë këto ditë mesazhe të forta nga Perëndimi për dekriminimin e qeverisë dhe të Kuvendit, për reformën në Drejtësi ose edhe për një FBI që do të ndëshkonte krimin e qeverisë. Po flitet me shpresë se një gjë do të ndodhë.

Vizioni i dytë vjen prej vetë qeverisë.
Këta nuk do ta pranonin kurrë një qeveri tjetër veç tyre. Idenë e qeverisë globale e përdorin për të dhunuar më shumë të qeverisurit shqiptarë. Këta iu hapin dyert perëndimorëve me reverancë të madhe, si për të dëshmuar para publikut të dhunuar se “edhe qeveria globale do të jetë pro nesh”. Sikur bota perëndimore të ishte kundër qeverisë në ndonjë pikë, këta të qeverisë ose e fshehin, ose nuk e pranojnë publikisht. A nuk e patë se si po e hedhin tej krahëve kërkesën e Shteteve të Bashkuara për një organizëm Investigimi që të merret veç me vjedhjet dhe krimet e zyrtarëve të lartë dhe që ky organizëm të vihet në lëvizje nga prokurorë amerikanë?! A nuk po e vini re se si e zhytën nëpër ujëra edhe lajmin se pas pak ditësh zyrat e shtetit tonë do t’i vizitojë sekretari i Shtetit i SHBA, Mr. Kerry? Me sa duket kanë informata se dikush nga “qeveria globale” vjen me mesazhe pakënaqësie për qeverinë këtu.
Atëherë, ku përplasen e ku thyhen dy shpresat, shpresa e mirë dhe shpresa e keqe për një qeveri (le ta quajmë të jashtme, qiellore ose botërore) mbi vendin tonë? Shpresa e mirë është ajo e popullit të vuajtur që ka hedhur tej çdo shpresë tjetër se vendi mund të qeveriset nga këta ose njerëz si këta këtu, dhe veç pret një gjë të mirë nga qielli.
Ndërsa shpresa e keqe mund të quhet ajo e qeverisë, e cila ka plot arsye për ta menduar veten si sundimtare njerëzish të përvujtur që nuk dinë si të luftojnë për të drejtën e tyre për tu qeverisur mirë. Këta mbajnë me vete edhe shpresën se kurrë nuk mund të shporren prej të huajve, tek të cilët besojnë të munduarit.

Atëherë ku përplasen të dyja shpresat?
E para, ajo ku të munduarit i mbajnë sytë, ka një fuqi shumë të madhe në informatat që janë përhapur kudo se Shtetet e Bashkuara dhe Europa nuk e tolerojnë dhunën dhe grabitjen e qytetarëve nga qeveria e tyre, qoftë edhe e zgjedhur demokratikisht. Këto ditë, opozita politike e përfaqësuar nga Partia Demokratike, bëri një kthesë të shpejtë në raport me Byronë e Hetimit, duke i kërkuar qeverisë që menjëherë të miratojë ligjin. Atëherë njerëzit pyetën: Pse? Përgjigja që morën nga zëra të ndryshëm mediatik apo politik, ishte kjo: Shtetet e Bashkuara interesohen që zyrtarët e lartë të zbulojnë dhe dorëzojnë pasurinë e vjedhur; dhe kjo do të bëhet përmes prokurorëve amerikan ose të trainuar nga shteti amerikan… Këtë besojnë njerëzit, e besojnë me shpresë. Tjetër gjë jo…

Të munduarit kanë edhe shpresa të tjera, por që bazohen më shumë mbi dëshira se sa mbi parime sovraniteti shtetëror. Përshembull, në mes të errësirës dhe varfërisë ku janë zhytur këta mendojnë se ” veç ata të mëdhenjtë, aleatët; ve ata në i shporrshin këta vemje që po na thithin gjakun”. Duket si një naivitet i madh, njësoj si ata që nisën të shpresojnë në vitin 1946 se po zbarkojnë amerikanët për të fshirë komunizmin nga faqja e dheut … Por sidoqoftë, edhe kjo funksionon, sepse mban një flakë të vogël shprese.

E dyta, shpresa e keqe e qeverisë se nuk ka qeveri globale që t’u tregojë vendin këtyrë, bazohet mbi njëmijë elementë të tjerë. Në mënyrën më vulgare bazohet mbi disa nëpunës europianë që bëjnë si shefa këtu dhe që janë lehtësisht të korruptueshëm. Por kjo nuk është kryesore. Kryesore janë këta elementë: Qeveritë e këqija, si kjo jona, rrojnë e nuk shqiten prej trupit të sëmurë, njësoj si zgjebja, si mortja. Këta nuk duan t’ia dinë se sa kockë e lëkurë është bërë trupi i shoqërisë që e rrjepin. Edhe dje kryeministri i Republikës, tre minuta pasi ministri i tij i shëndetsisë (nga më të korruptuarit në botë) u qëllua me vezë e domate, ky i doli në krah. Ndërsa mijëra njerëz vuajnë për mjetet e jetesës, këta guxojnë të shfaqen në media me “suksesin” se kanë pranuar mijëra anëtarë në partinë e tyre. Të vjen në mendje Partia gerjamniake hitleriane në fillesat e saj. Partia shushunjë rritet, ndërsa trupi i të munduarve gërryhet. Kur qeveria gjen kurajën të bëjë çfarë nuk bëhet e farë nuk bën kush!, nuk ka forcë në botë që e shporr; përveç këtyre që kanë forcën e të munduarit… Këta të qeverisë e bazojnë shpresën e keqe edhe mbi ligjësitë e sovranitetit, duke e keqpërdorur atë. Parimi i sovranitetit thotë se qeveria e zgjedhur është sovrane në vend. Mirëpo nuk mund të zbatohet sovraniteti në kushtet kur qeveria ka humbur besimin dhe shpresën e të qeverisurve…

Atëherë, a do të kemi vallë qeveri globale në vend të kësaj?
Përsëri, edhe përballë kësaj pyetjeje përplasen dy mundësi, të paktën mundësi sipas teorisë së qeverisë globale.

1.
Qeveri, mbi këtë qeveri që e ka munduar njeriun tashmë, mund të ketë në rast të një të keqeje të madhe. E keqja e madhe është present. Njeriu këtu është i pasigurtë për jetën dhe për pronën. Njeriu këtu është i frikësuar nga vrasja dhe nga grabitja, dmth., nuk garanton të drejtën themelore të jetës. Njeriu këtu është i përqeshur nga qeveria e tij; në vend që ta ketë qeverinë aleate, në fakt e ka dhunuese. Asnjë individ nuk ka kontratë me qeverinë, qeveria ka marrëdhenie “one way” me individin, veç e vjel e nuk i jep gjë. Secili përpiqet të ikë nga trualli i tij e të marrë rrugët e migrimit, larg kësaj qeverie…
Pra e keqja ka ndodhur. Në një të keqe si kjo, ose si në luftë, teoricienët e mëdhenj, kanë pranuar idenë e qeverisë globale.

1.
Nga ana tjetër, qeveri globale presim kur të kemi paqe totale, kur të kemi një legjslacin, një dëshirë qeverisjeje, një marrëveshje për dorëzim sovraniteti, në gjithë botën… Epo, këtu jemi shumë larg.
Atëherë njerëzit e Shqipërisë shpresojnë të shpëtojnë prej të vetëve, duke u bazuar mbi një qeverisje nga bota. Këtu ka mbërritur puna, para murit.