Me thirrjet “Shqipëri e Re”, “UÇK”, “Gjithë Shqipëria është me ne”, “Rama në burg, Berisha në burg”, një grup protestuesish hynë me sëpata, hunj dhe mjete të forta në kantierin e resortit Blue Borgo në Rrjoll, duke u përplasur me punonjësit e kompanisë, efektivët e policisë dhe duke shkaktuar dëme në investimin privat.

Ngjarja ka sjellë reagime të shumta në rrjetet sociale, ku shumë protestues dhe organizatorë që i janë bashkuar protestës në Tiranë janë distancuar nga aktet e dhunës, duke kërkuar që të mos luhet me emocionet e qytetarëve për qëllime politike apo hakmarrëse.

Sipas tyre, një nga arsyet pse protesta ka arritur të ruajë mbështetjen publike ka qenë pikërisht karakteri i saj paqësor, duke apeluar se çdo akt dhune per interesa politike, rrezikon të dëmtojë kauzën dhe të largojë qytetarët që i janë bashkuar lëvizjes.

“Kujdes! Jo çdo tel me gjemba është një shesh proteste. Kjo protestë ka fituar mbështetje sepse nuk ka prodhuar incidente. Thirrjet për të zhvendosur fokusin te çdo truall i rrethuar apo investim privat janë një kartolinë e keqe që nuk duhet të kthehet në njollë mbi këtë protestë. Për interesa politike apo hakmarrëse nuk duhet të luhet me emocionet e atyre që besojnë te kjo lëvizje”, thuhet në një nga reagimet e publikuara në rrjetet sociale.

Reagimet vijnë në një moment kur protesta në Tiranë ka hyrë në ditën e saj të 14-të, ndërsa organizatorët po përpiqen të ruajnë profilin qytetar dhe paqësor të lëvizjes.

Më herët, një pjesë e protestuesve të Rrjollit janë shprehur publikisht se nuk kundërshtojnë projektin turistik apo zhvillimin e zonës, por nuk i njohin vendimet gjyqësore të formës së prerë që, sipas tyre, kanë përcaktuar statusin e pronës.

Nga ana tjetër, kompania Gener 2, e përfshirë në projekt si palë e tretë, ka deklaruar se njeh si pronarë vetëm personat që disponojnë dokumentacion të vlefshëm dhe vendime gjyqësore përkatëse. Kompania ka bërë të ditur se çdo individ që provon ligjërisht të drejtën e pronësisë është i mirëpritur të bëhet pjesë e projektit.

Kjo nuk është hera e parë që në kantierin e ndërtimit shënohen incidente. Disa muaj më parë u dëmtuan makineritë e punës dhe u sulmuan punonjës të projektit, mes tyre inxhinierë, fadromistë dhe punonjës të sigurisë.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *