Autoritetet shqiptare deklaruan pak ditë më parë se në Afganistan nuk kishte më asnjë shtetas shqiptar si personel ushtarak ashtu edhe civil.

Por në të vërtetë atje ndodhet një vajzë nga Tirana e cila punon në një organizatë ndërkombëtare. Vajza nga Shqipëria ka mbetur e bllokuar në Kabul në pamundësi për të lëvizur dhe Top Channel ka mësuar se ka nisur një operacion në bashkëpunim edhe me forcat amerikane që ndodhen ende në aeroportin e Kabulit për ta përcjellë drejt Shqipërisë vajzën.

Top Channel disponon emrin dhe të dhënat e saj por për të mos dëmtuar operacionin nuk po e transmetojmë emrin e plotë.

Top Channel ka mësuar se ministria e jashtme është duke bashkërenduar me burimet diplomatike amerikane për të zhvendosur nga Kabuli, Anën, vajzën nga Shqipëria e vetmja shqiptare që ndodhet në Afganistan.

Në rrugët e Kabulit është kaos edhe në aeroport situata nuk është aspak e mirë për shkak të dyndjes së atyre që duan të ikin.

Ndërkohë talebanët sapo kanë marrë pushtetin kanë nisur të vendosin postblloqe në rrugë dhe të marrin kontrollin e institucioneve. Sot ata nisën vendosjen e ligjeve të sheriatit. Të gjitha femrat duhet të mbajnë burka dhe nuk mund të lëvizin të vetme.

Kjo situatë e bën edhe më të vështirë operacionin për të shpëtuar Anën shqiptaren e vetme që u bë dëshmitare se si Afganistani ra sërish në errësirën mesjetare të regjimit të talebanëve.