Frrok Çupi/
Ku po shkojnë qeveritë që helmojnë njerëz?…
Presidenti Trump urdhëroi sot në mëngjes, (ora 2.00- sipas orës sonë) sulmin ajror me 59 raketa cruise kundër regjimit të Assad në Siri. Shtëpia e Bardhë nisi luftën kundër “vdekjes së ngadaltë” që praktikojnë qeveritë barbare pas Luftës së Dytë.
Presidenti Trump, në mesazhin drejtuar kombit Amerikan, tha se “vdekja e ngadaltë” e njerëzve të pa fajshëm, e burrave të pa mbrojtur, e grave dhe e fëmijëve, ‘e atyre fëmijëve aq të bukur’ më krijoji ‘impakt të lartë’. Sulmi me armë kimike mbi njerëz u urdhërua nga diktatori i Sirisë.
Lufta e Amerikës mbi shkaktarët e “vdekjes së ngadaltë” sot ishte e fuqishme; aq e fuqishme sa bashkoi botën (jo sa “tronditi botën!”). Bota qenka ngarkuar pak nga pak, dalëngadalë, me rrezikun e “vdekjes së ngadalshme”- ja pse njerëzimi u bashkua menjëherë rreth Trump, të cilin establishmentet dhe elitat e dështuara e kishin kundërshtuar pa fund…
Sulmi ishte edhe aq “njerëzor”; maksimumi njerëzor sa mund të jetë sulmi mbrojtës ndaj njerëzve. Pentagoni deklaroi menjëherë, se sulmi ishte kryer në “fushën ajrore” siriane nga ku u lëshua bombardimi me gaz nervin mbi njerëz të pafajshëm sirianë, por me kujdesin që të mos kishte trupa, as rus dhe as sirian dhe rreziku të ishte minimal.
Por nuk qëndron vetëm këtu sensi “njerëzor”.
Amerika, përmes presidentit Trump, lëshoi tre sinjale pro- njerëzve që helmohen nga qeveritë e tyre:
Sinjali i parë,
Shtatëdhjetë e ca vjet pas Luftës së Dytë barbare, barbarëve që mbetën si “anti-nazistë”, por komunistë e liberalë, iu hiqet nga dora arma e vdekjes “së ngadaltë”. Trump dhe aleatët e tij në Amerikë e në mbarë botën, deklaruan se akti i Shteteve të Bashkuara paralajmëroi: “Jo më kurrë, armë helmuese!”. Përjetësisht iu hiqet e drejta qeverive që të vrasin njerëz të pafajshëm përmes“dashurisë prindërore” se po ‘iu pastrojnë qytetin’, se po ‘iu sjellin ca plehra për përpunim nga jashtë’, se ‘po iu shtojnë mirëqenien me demontim të armëve kimike’. Në Shqipëri po ndodh, në mënyrë shumë të zakonshme, që qeveria vret “ngadalë”. Statistikat fundit thanë se 17 nga 100 vdekje, ndodhin për shkak të “helmimit”. Shifra që nxori krye, sigurisht, është vetë e frikësuar dhe nuk tregon gjithë të vërtetën… Me sulmin mbi Siri, Amerika tha drejtpërdrejt kështu: “Që të mos guxoni më me helme!”.
Sinjali i dytë,
Senatori Rand Paul kërkoi që Presidenti të marrë leje në Kongres për sulmin në Siri. Kështu u bë. Senatori tha se “duhet leje” sipas ligjit, meqë nuk po sulmohet direkt Amerika. Por leja u dha lehtësisht. Argumenti: janë sulmuar me helme njerëz të pafajshëm në botë. “Botë” është kudo jashtë Amerikës, për Amerikanët: Edhe Afrika, edhe Europa, edhe Ballkani. Në qoftë se shqiptarët rrezikohen nga helmet, morëm mesazh se Kongresi Amerikan e jep lehtësisht lejen për të sulmuar qeverinë shkaktare. Sinjali për vendet me regjime të dobëta, për autokratë në krye, për arrogantë dhe perversë që “vrasin ngadalë” dhe bëjnë propagandë të shpejtë, u dha nga Amerika. Tani ka më shumë shpresë për “delet” dhe “milingonat”, siç quhen njerëzit e zakonshëm prej qeverive të tyre.
Sinjali i tretë,
Presidenti Trump, duke argumentuar sulmin Amerikan, tha se në aktin barbar helmues të presidentit Sirian, “kryqëzohen shumë linja”. “Shumë- shumë linja”- përsëriti presidenti Trump. Amerika e perceptoi rrezikun kryesor në “kryqëzimin” e shumë linjave; të cilat në disa raste “kapërcejnë vijën e kuqe”.
Në linjat e rrezikshme të helmimit të njerëzve të pafajshëm janë konstatuar tek kryqëzohen interesat mafioze që përbëjnë linja kundër njeriut; imponimi mbi jetën e njerëzve me qëllim përfitimet private financiare; demontimi i armëve kimike në territore ku banojnë njerëz; ruajtja dhe depozitimi në tunele dhe në gropa i lëndëve toksike që iu sjellin njerëzve- sidomos fëmijëve- shtrembërime tragjike jetësore ose vdekje të ngadaltë.
Linja më e rëndësishme që kryqëzohet me sulmin kimik të Sirisë, është kultivimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike. Ka vende ku kjo “bombë” përgatitet nga qeveria. Qeveria e Shqipërisë është shpallur ndër të rrallat në botë që kultivon, përgatit dhe shpërthen nëpër Shqipëri dhe në botën njerëzore, helmin narkotik.
Qeveritë që kultivojnë helmet narkotike tani janë objekt i sulmit; ajror ose jo ajror.
… Kam pyetur veten shpesh kur kam dëgjuar që thonë se “Amerika do të nisë një mesazh” për “qeverinë e drogës” në Tiranë… po pse thonë kështu? Ndoshta njerëzit presin që Amerika t’i lutet qeverisë: “aman mos kultivo drogë dhe mos vrit më njerëz të pafajshëm, … fëmijë të bukur!”. A vërtet e mendon këtë “delikatesë” qeveria që helmon njerëz?!
Pas Sirisë…, nuk e besoj.
/Veritas.com.al/