Një tërmet i fortë me magnitudë 5.9 është regjistruar në orën 04:08 me orën lokale në veriperëndim të Turqisë.

Sipas të dhënave, tërmeti kishte epiqendrën e tij në një thellësi prej 10.6 kilometrash dhe 15 km nga Duzce, që ndodhet rreth 230 km larg nga Stambolli dhe 240 nga Ankaraja.

Lëkundjet e forta të tij u ndjenë deri në Stamboll, Bolu, Sakarya, Ankara, Kocaeli, Kutahya, Bilecik, Bursa dhe İzmir.

Tërmeti, epiqendra e të cilit ishte rrethi Gölyaka, shkaktoi panik te banorët. Kryetari i Bashkisë së Düzce, Faruk Özlü, tha se tërmeti ishte shumë i fuqishëm dhe se ka shkaktuar disa dëmtime në ndërtesa.

Sipas Ministrit të Shëndetësisë, Fahrettin Koca, numri i të lënduarve nga tërmeti në Gölyaka është 35, përfshirë 32 në Düzce, 1 në Stamboll, 1 në Bolu dhe 1 në Zonguldak.

Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm, Süleyman Soylu, në një deklaratë rreth orës 07:30 tha se nuk ka viktima.

Kujtojmë se 3 javë më parë, një tërmet me magnitudë 4.9 u regjistrua në një thellësi 10 km, në juglindje të qytetit të Izmirit.